A do t'i kushtojnë vëmendje kryetarët të rinj në veri këshillën e SHBA-së për t'iu përmbajtur vetëm mandatit teknik?

Erden Atić
Burim: Kosovo Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës të marrin një rol teknik, por jo politik, pas marrjes së detyrës, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier. Bashkëbiseduesit e Kosovo Online besojnë se sigurisht që nuk kanë legjitimitet për një mandat politik, por mendimet e tyre ndryshojnë kur është fjala për ndikimin e pushtetarëve në Prishtinë te kryetarët e rinj të komunave veriore.

Pasi Erdan Atiq bëri betimin si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, u njoftua se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe tre kryetarët e mbetur këtë javë.

Ndonëse i vlerësoi zgjedhjet si legjitime, bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se zgjedhja e shqiptarëve për kryetarë komunash në komunat me shumicë serbe, me bojkot absolut nga serbët dhe vetëm rreth tre për qind e votuesve, nuk mund të sjellë zgjidhje të përhershme politike, prandaj rekomandohet që mandati i tyre të jetë teknik deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër.

Për këtë çështje dëgjohen deklarata të ndryshme nga përfaqësues të pushtetit në Prishtinë. E përderisa Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se do të jenë “kryetarë komunash me një k të vogël”, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Elbert Krasniqi thotë se nuk do të reduktohen kompetencat e kryetarëve të zgjedhur.

Hulumtuesi i lartë i OJQ-së Aktiv Igor Markoviq beson se disa nga vendimet e para të kryetarit të sapozgjedhur të komunës së Mitrovicës së Veriut mund të tregojnë mënyrën se si do të sillen dhe veprojnë kryetarët e tjerë në veri.

Siç thotë ai, pa pushtet ekzekutiv dhe staf administrativ, mandati i tyre nuk mund të pritet të jetë politik.

“Në mungesë të pushtetit real ekzekutiv, si dhe të stafit funksional administrativ komunal, nuk mund të pritet që kryetari i komunës t'i kryejë kompetencat e tij jashtë mandatit teknik, për të cilin tërhoqi vëmendjen ambasada amerikane”, tha Markoviq.

Mirëpo, siç thotë ai, nga njoftimet e tyre, vendimet politike nuk janë ekskluzive.

“Veprimi i tyre politik është i pashmangshëm për faktin se ata tashmë kanë paralajmëruar lëvizje të caktuara simbolike që paraprakisht e shqetësojnë popullatën lokale, që nga paralajmërimi për hapjen e urës në Mitrovicë e deri te vendosja e flamujve në objektet komunale”, ka theksuar Markoviq.

Ai shtoi se nuk duhet anashkaluar fakti se kryetarët e rinj janë anëtarë të partive që promovojnë ide të caktuara politike.

“Është thjesht e pamundur që ata të jenë krejtësisht të “shkëputur” nga ideologjitë dhe programet partiake”, beson Markoviq.

Ai thekson se edhe pse me qëllime të mira, këshillat e SHBA-së nuk do të merren parasysh plotësisht.

“Nuk duhet harruar se problemet e pazgjidhura në lidhje me targat, sigurinë, energjinë dhe atmosferën përgjithësisht të nxehur në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës vetëm sa do t'u mundësojnë kryetarëve të sapozgjedhur të bëjnë lëvizje politike që sigurisht do të kontrollohen drejtpërdrejt nga Prishtina, nga Vetëvendosje në pushtet”, tha Markoviq.

Analisti Nexhmedin Spahiu beson se kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veri të Kosovës, me pak legjitimitet, mund të kenë vetëm funksion teknik.

Siç thekson ai, qëllimi i zgjedhjeve është ngritja e flamurit të Kosovës në institucionet e veriut, gjë që u bë gjatë betimit të Atiqit.

“Qëllimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është vetëm ngritja e flamurit të Kosovës në institucione, që kryetarët e ardhshëm të serbëve të mos akuzohen për tradhti. Me marrëveshjen në Bruksel për formimin e Bashkësisë me maxhorancën serbe, vetëm do të shtohet flamuri i atij bashkësinë, është çështje teknike”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, sigurisht që do të ndikojë në mandatin e kryetarëve të rinj.

“SHBA-ja është fuqia më e fortë në botë, sigurisht që ndikon jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende shumë më të mëdha dhe më të forta”, tha Spahiu.

Ndryshe nga Markoviq, ai beson se qeveria qendrore nuk mund t'i "shtyjë" kryetarët e komunave për të marrë një rol politik.

Ai gjithashtu e konsideron si proces teknik njoftimin e Atiqit se në ditët në vijim do të emërojë drejtorët e shërbimeve komunale, duke thënë se mandati i atyre drejtorëve, por edhe i kryetarëve të rinj, nuk do të jetë më i gjatë se dy tre muaj, sepse, siç thonë Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së shpejti do të arrihet marrëveshja për BKS-në dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

“Drejtorët e emëruar do të duhet të bëjnë punë të përditshme, administrim, inspektim, e të tjera që duhen bërë në dy-tre muajt e ardhshëm, aq sa do të zgjasë mandati i tyre. Besoj se së shpejti do të arrihet një marrëveshje mes Vuçiq dhe Kurti për zgjedhjet e reja dhe për Bashkësinë, pra mandati i tyre nuk do të jetë i gjatë”, ka përfunduar Spahiu.