Fushata dhe veriu i Kosovës: A do të mobilizojë Vetëvendosje përkrahësit e saj me një temë tashmë “të përpunuar”?

Severna Mitrovica
Burim: Kosovo Online

Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, fushata zyrtare ende nuk ka nisur, megjithëse praktikisht është në zhvillim të plotë, dhe analistët nuk kanë dilema se, ashtu si në fushatat e mëparshme, Vetëvendosje do të përpiqet të mobilizojë përkrahësit e saj duke vënë në plan të parë temën e veriut të Kosovës.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare zyrtarisht fillon më 17 dhjetor dhe do të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve më 28 dhjetor.

Nga një parti që në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit doli e para, por që për nëntë muaj nuk arriti të formojë qeverinë, nuk pritet ndryshim kursi krahasuar me atë që kishte marrë në vitin 2021 kur erdhi në pushtet – që do të thotë se fokusi do të jetë te çështjet që lidhen me veriun e Kosovës.

Analisti politik Artan Muhaxhiri vlerësoi dje se Vetëvendosje në fushatë do të përdorë sërish “diskurs populist, pseudopatriotik dhe viktimizues”, duke u fokusuar në veri, urat dhe Listën Serbe.

“Kishin pesë vjet dhe miliarda në buxhet, por nuk sollën ndryshimin që premtuan,” tha Muhaxhiri.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas mendimit të analistit Albert Krasniqi, përdor tema të prodhuara artificialisht për të krijuar polarizim që mobilizon elektoratin, dhe njëra nga tri kryesoret, sipas tij, është: “kush është me Listën Serbe”.

Fokusimi te çështjet e veriut të Kosovës dhe institucionet serbe, siç thotë për Kosovo online Millica Andriq Rakiq, menaxhere programi në OJQ-në “Nisma Shoqërore”, ishte një model i dukshëm edhe në fushatën e kaluar të Vetëvendosjes dhe pritet që të përsëritet.

“Sapo kishte shumë fokus në Veriun dhe Mitrovicën e Jugut, në konceptin e bashkimit dhe efektet e ndryshimit të realitetit në terren në veri. Këto në thelb janë rezultatet më të mëdha të punës së qeverisë së Vetëvendosjes gjatë periudhës së kaluar dhe padyshim se do të fokusohen në to. Përveç kësaj, mund të priten edhe theksime të politikave sociale, që u panë përmes rritjeve të ndryshme të pagesave buxhetore. Këto janë temat që Vetëvendosja i promovon ideologjikisht, pra, etnonacionalizmi shqiptar dhe politikat sociale”, tha Andriq Rakiq për Kosovo online.

Sipas koordinatorit të Grupit Punues të Konventës Kombëtare për BE-në për Kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, është pothuajse e sigurt se Vetëvendosja do ta bazojë fushatën e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit në presione të mëtejshme mbi popullin serb.

Ai deklaroi për Kosovo online se kjo parti ka pasur një fushatë prej vitesh të lidhur ekskluzivisht me çështjet në veri.

„Ata erdhën me një slogan për vende të reja pune dhe drejtësi. Pamë se nuk ka pasur rritje të konsiderueshme të vendeve të reja të punës, as ndonjë drejtësi të veçantë, por pamë shumë presione ndaj komunitetit serb dhe ndaj gjithçkaje që ka ndodhur në veri“, thotë Mijaçiq.

Sipas tij, më e rëndësishmja është që gjatë fushatës zgjedhore gjithçka të mbetet e qetë.

„Të mos ketë situata incidentesh, të cilat me siguri do t’i shkonin në favor Vetëvendosjes. Faktorët ndërkombëtarë dhe të gjithë aktorët e tjerë politikë duhet të punojnë që të mos ketë incidente, ndërsa që Vetëvendosje do ta bazojë fushatën e saj në presione të mëtejshme ndaj popullit serb, kjo është gati e sigurt“, verën Mijaçiq.

Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për Kosovo online se Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet e kaluara, vazhdimisht ka theksuar se do të angazhohet në veriun e Kosovës dhe se, sa të jetë e mundur, do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera, si në veri ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës, gjë që, sipas tij, në një masë të caktuar edhe e ka arritur.

Sipas tij, të dhënat e besueshme tregojnë se në veri është përmirësuar gjendja e të gjithë qytetarëve, madje edhe e qytetarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë.

“Vetëvendosje konsideron se në këtë drejtim ka pasur sukses atje, se ka investuar, se është në kontakt, megjithëse ka pengesa të vazhdueshme nga Lista Serbe dhe, sipas tyre, edhe nga Beogradi, në kuptimin e integrimit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit në atë pjesë,” thotë Baraliu.

Sa i përket ndikimit të gjithë kësaj në zgjedhjet e ardhshme, ai shton se do të varet edhe nga ajo nëse qytetarët janë më të zemëruar me partitë opozitare apo me të gjitha partitë njësoj, për shkak të gjithçkaje që ka ndodhur në muajt e fundit, pasi zvarritja e formimit të institucioneve ka shkaktuar dëme të pallogaritshme.

“Do të shohim kujt do t’i besojnë më shumë dhe kujt do t’i japin besimin sa i përket përqindjes,” thekson ai.

Lidhur me atë se çfarë qëndrimi duhet të pritet nga qeveria në mandat teknik ndaj kryetarëve të rinj serbë në veri, Baraliu thekson se rezultatet e zgjedhjeve lokale janë pranuar nga të gjithë, përfshirë edhe Vetëvendosjen, dhe se nuk ka asgjë që mund të kontestohet.

“Edhe kryekomunarët, edhe të gjitha organet do të jenë atje ashtu siç parashikon Kushtetuta dhe ligji i këtij vendi. Do të respektohet vullneti demokratik i qytetarëve dhe mendoj se askush nuk ka as mundësi, as qëllim t’i pengojë ata të marrin përgjegjësinë në ato komuna në nivel lokal. Nuk do të ketë asnjë pengesë, as mund të ketë, sepse të gjithë ne në Ballkan, e sidomos Kosova, jemi nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare,” thotë Baraliu.

Mijaçiq gjithashtu thekson se procesi i dorëzimit të pushtetit në komunat e veriut do të jetë nën vëzhgim të madh të opinionit ndërkombëtar dhe atij vendas, prandaj beson se do të jetë herët që deri më 28 dhjetor pushteti i ri lokal të vihet nën presionin e qeverisë në nivel qendror.

"Besoj se kjo do të lihet mënjanë të paktën deri sa të përfundojë fushata parazgjedhore", thotë Mijaçiç.

Përplasjet mes qeverisë teknike të Kosovës dhe kryetarëve të rinj të komunave, sipas Andriq Rakiq, janë të pashmangshme.

"Do të ketë përpjekje për të penguar disa ndryshime që kryetarët e komunave, siç supozoj, do të synojnë t’i zbatojnë, kështu që periudha e stabilizimit do të jetë shumë interesante. Në këtë drejtim kemi edhe paralajmërimet e Bashkimit Evropian, i cili tashmë po thekson se një nga kushtet për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është dorëzimi paqësor i pushtetit", thekson bashkëbiseduesja jonë.