Gjashtë këshilltarë policorë të Euleksit në veri-a është kjo e mjaftueshme që sërbët të ndihen të sigurtë?
Misioni i Euleks në veri të Kosovës ditët e fundit ka instaluar ekip të specializuar prej gjashtë këshilltarësh policorë të cilët do të këshillojnë Policinë Kosovare sesi të kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore. Ky veprim i EULEKS sipas vlerësimeve të bashkëbiseduesve të Kosova Onlajn, është rezultat i ankesave të shumta të sërbëve në veri për punën e njësive speciale të Policisë Kosovare, por dhe dëshmi se forcat policore kosovare nuk po e bëjnë mirë punën e tyre, apo dhe Kosova ende ka nevojë për monitorimin e misioneve ndërkombëtare.
Fill pas këtij vendimi të EULEKS, u pasua me takimin e delegacionit të Listës Sërbe me shefin e EULEKS gjeneral-majorin Xhovani Pjetro Barbano të cilit i’u kërkua prani më e madhe e EULEKS në terren, si dhe që misioni të angazhohet në çështjen e sigurisë së popullit sërb.
Sa i përket ekipit këshillues, ai përfshin nga tre anëtarë nga Holanda dhe Suedia, dhe siç ka njoftuar EULEKS, do të këshillojnë Policinë Kosovare se si të kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe garantimin e sigurisë e në të njëjtën kohë do të monitorojnë respektimin e detyrimeve në lidhje me të drejtat e njeriut.
Kujtojmë se Euleks është Misioni europian për shtetin ligjor në Kosovë i cili nisi punën në vitin 2008 dhe mandati i tij i cili po zgjatet vazhdimisht, momentalisht e ka afatin deri më 14 qershor të vitit 2025. Ai në përgjithësi ka të bëjë me mbikëqyrjen, trajnimin dhe këshillimin.
Drejtori ekzekutiv i OJQ “Aktiv” Miodrag Miliqeviq tha për Kosovo onlajn se instalimi në veri i ekipit të specializuar të këshilltarëve të EULEKS, ka për qëllim forcimin e kapaciteteve këshilluese dhe mbikëqyrëse dhe rezultat i ankesave të shumta për punën e njësive speciale të policisë kosovare.
Siç tha ai, me këtë Euleks në fakt po i kthehet mandatit të vet ashtu siç ishte dakordësuar në vitin 2008.
“Jam i sigurt se deri këtu erdhën si pasojë e ankesave të shumta për punën e njësive speciale të Kosovës, pasi nga EULEKS në disa raste, shumë më herët, është kërkuar direkt të dislokojë njësi të tjera në veri që do të vendosin këtë sistem më efektiv të monitorimit të aktiviteteve të njësive speciale. Në rastin konkret, ato ekipe që do të jenë në veri në stacionet policore më së shumti do të mbikëqyrin funksionimin e njësive speciale dhe Policisë Kosovare në përgjithësi, në përputhje me ligjet, as më pak e as më shumë se kaq”, thotë Miliqeviq.
Siç thekson ky i fundit, duke pasur parasysh faktin që sërbët kolektivisht u larguan prej institucioneve kosovare nëntorin e vitit të kaluar, u krijua vakum institucional dhe i sigurisë në veri të Kosovës.
“Një prej masave të cilat janë zbatuar nga Qeveria e Kosovës është vendosja e forcave policore shtesë, të cilat nuk pasqyrojnë pamjen demografike të veriut të Kosovës. Kjo është një nga pikat më problematike pikërisht për shkak të disbalancimit në zbatimin e asaj që është marrë vesh në Bruksel. Në lidhje me këtë për mendimin tim, EULEKS duhej shumë më herët të instalonte forca shtesë, pra të forconte praninë e vet në veri, pikërisht për të parandaluar çdo moszbatim të ligjit”, thotë Miliqeviq.
Ky i fundit shton se para mbarë publikut shtrohet pyetja se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në tërë procesin e funksionimit të forcave policore në veri të Kosovës.
“Në fakt, gjëja kyçe është se ankesat e panumërta kanë ardhur për shkak të veprimit joadekuat të njësive speciale të Policisë Kosovare. Në lidhje me këtë, ankesat e panumërta në 24 muajt e fundit të cilat kryesisht erdhën përmes mediave, ndoshta edhe direkt apo indirekt edhe ndaj EULEKS dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, ishin shkas që EULEKS të merrte vendim dhe t'i dislokonte ato forca të tjera në veri të Kosovës, sesi të parandalonte çdo situatë të pakëndshme dhe të padëshiruar, siç kemi parë në të kaluarën jo shumë të largët” përmbylli Miliqeviq.
Politologu Urosh Nikolliq ka thënë për Kosovo Onlajn se angazhimi shtesë i skuadrës speciale prej gjashtë këshilltarësh të Euleks në veri të Kosovës, është provë që forcat policore kosovare nuk e bëjnë mirë punën e tyre.
“Policia kosovare nuk e bën mirë punën e vet në veri dhe për këtë nuk ka nevojë për prova. Përsa i përket angazhimit të këshilltarëve të Euleks, kjo është më shumë formë e njohjes së tyre indirekte se situata në veri të Kosovës është kaq përshkallëzuar saqë ata thjesht duhet të bëjnë përpjekje për t'u dukur sikur po bëjnë diçka, se dëshirojnë të riparojnë ndonjë dëm, të qetësojnë sërbët dhe tregojnë sesi do të tentojnë të zbutin atë që ndodhi muajt e kaluar, madje edhe një vit më parë” thotë Nikolliq.
Ky i fundit thekson se kur bëhet fjalë për vetë misionin EULEKS, është e njohur që sërbët asaj nuk i besojnë, por supozohet se çdo gjë tjetër në veri është më e mirë sesa policia kosovare.
“EULEKS nuk ka dëshmuar përgjatë këtyre viteve dhe dekadave paanshmërinë e vet. Ky mision ka qenë në funksion të ndërtimit të pavarësisë së të ashtuquajtur Kosovë. Doli se ishte joefikase duke pasur parasysh mjetet e mëdha që u investuan të cilat janë gati miliarda euro. Doli se këto fonde nuk kontribuan në ndërtimin e institucioneve apo stabilizimin e kushteve, por rezultoi të ishte një nga misionet më të korruptuara që ka pasur BE. Kur është fjala për EULEKS, duhet të jemi skeptikë. Kjo nuk më duket as si lëvizje serioze, por më tepër mjet qetësimi, të thuash: ja ne këtu po dalim para komunitetit sërb, po mundohemi të bëjmë diçka. Sepse sërish supozohet se sërbët në veri të Kosovës e Metohisë, sado që nuk i besojnë EULEKS, gjithçka tjetër është më e mirë se policia kosovare. Sidomos qysh prej momentit kur sërbët braktisën organet e institucioneve të përkohshme në Prishtinë ndërsa ato tani janë monoetnike”, tha Nikolliq.
Pyetjes nëse pret ndonjë ndryshim në sjelljen e Policisë Kosovare pas ardhjes së këshilltarëve të EULEKS në veri, bashkëbiseduesi ynë thotë se shpreson që kjo të jetë e mundur.
“Përvoja na ka mësuar që Euleks dhe Kfor shumë herë deri më tani kur i është dashur të mbrojë sërbët nga organet kosovare dhe nga shqiptarët, nuk e kanë bërë. Ata udhëhiqen nga interesat e tyre dhe në varësi nga kjo nëse do të vlerësohet që sërbët nuk duhet të preken dhe provokohen kaq shumë, kjo duhet të pacifikohet. Ndoshta do të ushtrojnë presion ndaj organeve në Prishtinë dhe do të bëjnë diçka për të mbrojtur sërbët. Megjithatë, kur vlerësojmë se kjo nuk është në interesin e tyre, përkundrazi mund të lejojnë të bëhen të gjitha llojet e gjërave që nuk duhen bërë dhe këtë e kanë bërë shpesh. Gjithçka varet nga situata gjeopolitike dhe nëse ata që komandojnë dhe menaxhojnë të tilla misione, mendojnë se këtu duhet të ketë qetësi dhe armëpushim, qetësim të plotë për shkak të mbarë situatës globale në botë apo ndoshta jo. A mos ndoshta u duhet një tjetër front. Ata luajnë zjarrvënësin dhe zjarrfikësin në mënyrë të alternuar, luajnë me fatet tona dhe me fatin e popullit tonë në Kosovë. Kur është në diskutim EULEKS, jam shumë skeptik, por sigurisht që janë zgjidhje më pak e keqe nga e ashtuquajtura FSK. Sërbët qysh kur kanë braktisur këto institucione, kanë qenë as në qiell e as në tokë, fort e vështirë të jetosh tani nën atë presion. Njerëzve u nevojitet një formë sigurie, mendoj se kjo ishte një nga arsyet që ata dërguan këta këshilltarë. Sesa mund të bëjnë realisht gjashtë këshilltarë, kjo është fort e diskutueshme”, thekson Nikolliq.
Ky i fundit thekson se Kosova ende ka nevojë për monitorimin e misioneve ndërkombëtare ndonëse dëshiron të paraqitet sikur është e gatshme të jetë e pavarur.
„Kosova qysh kur organet tona u tërhoqën në vitin 1999 e deri më sot, është protektorat. Ajo as nuk lindi me synim që ndonjëherë të bëhet shtet i pavarur, sesa përkundrazi të jetë shtet vasal që i nevojitet monitorim i madh. Kosova as nuk do të mund të mbahet as një muaj pa të tilla institucione. Shikojmë se kjo ndodh dhe sot në Bosnjë-Hercegovinë me Kristjan Shmidin. Pra, të huajt në përgjithësi pothuajse pjesa e bashkësisë ndërkombëtare të perëndimit, kanë të tillë qasje në Ballkan sikur ne jemi ndonjë fëmi ku na duhet të n’a drejtojnë, apo dhe ndaj të ashtuquajturës Kosovë që është projekt 100% i tyre. Albin Kurti ka patur disa ide rreth kësaj madje dhe kur ka patur disa përplasje me partnerët perëndimore që Kosova të cilën e mendonte se ishte e pavarur, ka të drejtë edhe për sovranitet. Megjithatë kjo është me të vërtetë fiksacion. Kosova dhe Metohia është nën ndikimin dominues të faktorit ndërkombëtar dhe e tillë do të ngelet" ka thënë Nikolliq.
Ky i fundit theksoi se angazhimi shtesë këshilltarëve të Euleksit është hap pas për Kosovën.
“Sërish dëshmohet se ata nuk munden të bëjnë asgjë pa institucionet ndërkombëtare sikurse Euleks. U duhet tutor. Kjo është status kuo. Gjithçka që tashmë Bashkimi Europian dhe EULEKS po bëjnë paraqiten më shumë si ndryshime kozmetike për të qetësuar sërbët, por në planin konkret, ky nuk është ndryshim epokal” përmbyll Nikolliq.

0 komentet