Pritjet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së – çfarë sjell raporti i ri i UNMIK-ut?
Shefi i ri i UNMIK-ut, Peter Due, do të paraqesë sot për herë të parë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportin e rregullt gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën. Bashkëbiseduesit e Kosovo online presin që fokusi të jetë kriza politike në Prishtinë dhe pozita e serbëve në Kosovë, përfshirë marrëveshjen dhe pasojat e zbatimit të Ligjit për të huajt. Ndërsa disa mendojnë se raporti nuk do të sjellë ndryshime të mëdha, duke theksuar dobësimin e ndikimit të OKB-së në nivel global, të tjerë theksojnë se për Serbinë është thelbësore konfirmimi i mandatit të UNMIK-ut, KFOR-it dhe Rezolutës 1244.
Shkruan: Jellena Novakov
Në paralajmërimin e “Security Council Report”, të publikuar para seancës, ndër të tjera theksohet se ende nuk është arritur përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe rikujtohet thirrja e Peter Sorensen për përfshirje dhe respektim të obligimeve nga dialogu kur bëhet fjalë për përpjekjen për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.
Propozohet që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që “shpreh mbështetje për Sorensenin, u bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës të angazhohen me mirëbesim dhe të zbatojnë obligimet e mbetura pa parakushte”. Gjithashtu theksohet se të gjitha masat që ndikojnë në komunitetin serb në Kosovë duhet të shmangin ndërprerjen e shërbimeve bazë dhe të nxisin “zbatim gjithëpërfshirës në përputhje me obligimet e mëparshme nga dialogu”.
Më tej thuhet se “ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i deeskalimit të tensioneve në veri mbetet prioritet kyç për Këshillin”, ndërsa shtrohet edhe pyetja nëse Këshilli i Sigurimit mund të ndihmojë “në ruajtjen e momentit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zbatimin e obligimeve ekzistuese”.
Theksohen edhe ndarjet mes anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kina dhe Rusia respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Përveç kësaj, sipas paralajmërimit, tërheqja e UNMIK-ut është një tjetër çështje e diskutueshme mes anëtarëve të përhershëm, ndërsa SHBA në veçanti mbështet idenë e shuarjes graduale të misionit.
Po ashtu, pritet që në raport të vihet theksi edhe te paqëndrueshmëria e zgjatur politike në Prishtinë.
Prioritetet e Serbisë
Ish-diplomati Zoran Milivojeviq thotë për Kosovo online se, sa i përket vetë raportit të Peter Due, nuk pret asgjë të re.
“Sa i përket vetë raportit dhe paraqitjes së përfaqësuesit të ri të UNMIK-ut, nuk pres ndonjë gjë veçanërisht të re, sepse në thelb nuk ka ndodhur asgjë e veçantë, përveçse është konfirmuar paqëndrueshmëria e regjimit në Prishtinë dhe ka vazhduar agonia politike dhe përpjekja e Vetëvendosjes për të ruajtur me çdo kusht pozitën dominuese”, thotë Milivojeviq.
Sipas tij, raporti do të trajtojë paqëndrueshmërinë politike në Kosovë, Ligjin për të huajt, por edhe vazhdimin e dialogut.
“Mendoj se raporti do ta pasqyrojë këtë, me referenca për zgjedhjet, rezultatet e tyre dhe me kërkesë për formimin e qeverisë. Sigurisht do të ketë kërkesë për vazhdimin e dialogut dhe referencë për Ligjin për të huajt dhe marrëveshjen e arritur lidhur me zbatimin e tij”, vlerëson ai dhe shton se do të ketë përpjekje për afirmimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe insistim në respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe njohjen de facto.
Megjithatë, Milivojeviq nuk pret një qëndrim kritik ndaj Kurtit dhe politikës së tij, për këtë arsye vlerëson se edhe ky raport do të ketë mangësi që nuk do ta kënaqin palën serbe. Nga ana tjetër, ai beson se përfaqësuesi i Kosovës në seancë do të përpiqet të diskreditojë Serbinë, duke theksuar rrezikun e pretenduar nga Serbia dhe armatosjen e saj, si dhe lidhjet me Rusinë.
Sa i përket përfaqësuesve të vendeve në Këshillin e Sigurimit, Milivojeviq vlerëson se kësaj here Rusia dhe Kina do të insistojnë në Rezolutën 1244, në kontekstin e fokusit më të madh global në respektimin e së drejtës ndërkombëtare për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
“Po ashtu, pres që britanikët dhe amerikanët të mbeten në qëndrimet e tyre dhe të insistojnë që mandati i UNMIK-ut të përmbyllet gradualisht, me vlerësimin se është arritur një nivel i mjaftueshëm sigurie, duke insistuar edhe në formimin e qeverisë. Për ne është shumë e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit të konfirmojë mandatin e UNMIK-ut dhe KFOR-it dhe Rezolutën 1244, statusin e Kosovës në kuadër të atij mandati dhe në përbërje të shtetit të Serbisë, si dhe të insistojë që ky mandat të respektohet dhe që obligimet nga ai mandat të zbatohen plotësisht”, përfundon Milivojeviq.
Ndikimi i raportit
Historiani Vukan Markoviq deklaroi për Kosovo online se nuk pret që përfundimet e këtij raporti të sjellin ndryshime. Ai theksoi ndikimin e zvogëluar të OKB-së, duke vënë në dukje se kjo organizatë mbetet ende garant i së drejtës ndërkombëtare dhe legjitimitetit përmes të cilit funksionon UNMIK-u.
“Supozoj se pala serbe do të ngrejë çështjen e stabilitetit të institucioneve dhe regjimit në Prishtinë, përkatësisht krizën politike që po zgjat prej vitesh”, shton ai.
Ai thekson se pret që në seancë të përsëriten deklaratat dhe qëndrimet e viteve të mëparshme, përfshirë kërkesën amerikane për shuarjen e UNMIK-ut dhe kundërshtimin rus ndaj këtij propozimi. Përveç kësaj, Markoviq beson se do të përmendet moszbatimi i dispozitave më të rëndësishme të Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa pala kosovare pritet të akuzojë sërish Serbinë si “palë agresore”.
“Çdo gjashtë muaj shohim të njëjtën histori, me shtesa të temave më të reja, siç është Ligji për të huajt, shumë problematik. Fatkeqësisht, OKB-ja ka humbur rolin ndërmjetësues që kishte dikur, por për Serbinë dhe serbët në Kosovë është e përshtatshme që OKB-ja të mbetet të paktën formalisht aty ku është, sepse kjo është ende garanci e së drejtës ndërkombëtare dhe legjitimitetit përmes të cilit funksionon UNMIK-u në Kosovë”, thekson Markoviq.
Duke folur për përfundimet e mundshme të shefit të UNMIK-ut, Markoviq shprehu shpresën se Due do ta vlerësojë në mënyrë racionale situatën në të cilën të drejtat më elementare të njeriut të serbëve në Kosovë janë të rrezikuara.
“Që do ta kuptojë rëndësinë e krizës së thellë politike në të cilën ndodhet Kosova gjatë dy viteve të fundit. Por nuk jam i sigurt sa është e rëndësishme se çfarë do të përfundojë ai, dhe as sa do të kenë efekt përfundimet e tij në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, në regjimin në Prishtinë, dhe mbi të gjitha në pozitën e serbëve në Kosovë”, përfundon Markoviq.
Funksioni i UNMIK-ut
Analisti Artan Muhaxhiri deklaroi se UNMIK-u nuk ka ndikim real në politikën e Kosovës, as në informimin e bashkësisë ndërkombëtare, dhe se raporti i Peter Due është vetëm formalitet.
“E dimë që UNMIK-u funksionon përmes inercisë dhe nuk ka asnjë efekt faktik në politikën dhe institucionet e Kosovës, por as si referencë për bashkësinë ndërkombëtare, sepse të gjithë ata kanë ambasadat e tyre këtu (në Kosovë) dhe nuk presin raportin e UNMIK-ut për të parë se cila është situata”, tha ai për Kosovo online.
Sipas tij, në gjashtë muajt e fundit nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme sa i përket komuniteteve pakicë, prandaj raporti do të jetë vetëm formalitet.
“Mendoj se do të jetë vetëm formalitet, sepse situata nuk ka ndryshuar fare, sidomos kur bëhet fjalë për pakicat. Kemi pasur një vit bllokade vitin e kaluar, ndërsa edhe këtë vit ka shumë probleme me Kuvendin dhe zgjedhjen e presidentit të ri, kështu që nuk mendoj se do të ndodhë diçka më shumë se një identifikim i thjeshtë dhe i zakonshëm i ngjarjeve”, përfundon Muhaxhiri.
0 komentet