Rutte vjen në Kosovë në një moment sfidues gjeopolitik, çfarë do të thotë?
Gjatë vizitës së parë të Mark Rutte në Kosovë që nga marrja e detyrës si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në tetor, pritet që mesazhet të konfirmojnë se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit, si dhe konfirmimi se ekziston një plan rezervë në rast të tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i. Përveç kësaj, sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të shohë nga afër situatën në terren përmes bisedimeve me zyrtarë në Prishtinë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare..
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Në ditët e para të mandatit të tij, Rutte tha se edhe pas më shumë se dy dekadash, përkushtimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i fortë dhe se KFOR-i do të mbetet në Kosovë.
Ndërkohë, është rritur frika se administrata e re amerikane mund të tërheqë ushtarët e saj nga ky mision dhe me këtë rast, Rutte së fundmi tha se gjithmonë mund të ketë një ndryshim në politikë ose një përshtatje të vogël, por se nuk ka arsye të besohet se do të ketë vendime dramatike.
Përpos pasigurisë për strukturën e ardhshme të KFOR-it, ardhja e Rutte në Prishtinë shoqërohet me pritje të një qeverie të re të Kosovës. Perdja ende nuk ka rënë në skenën zgjedhore, ndonëse zyrtari më i lartë i Aleancës tashmë ka bërë me dije se NATO do të bashkëpunojë me çdo qeveri të formuar në Kosovë.
Vizita e nesërme e Ruttes në Prishtinë dhe ajo e sotmja në Sarajevë, sipas vlerësimit të Frauke Zebas, hulumtuese në zyrën e Brukselit të Fondacionit Gjerman për Shkencë dhe Politikë, po zhvillohet në një atmosferë të ndarjes transatlantike, e cila paraqet një “sfidë të paprecedentë për rendin e sigurisë evropiane, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, transformimi dhe integrimi i papërfunduar i të cilit në BE përbën një pikë nevralgjike të kontinentit”.
“Vizita e Ruttes është një sinjal i qartë se NATO po e ndjek nga afër rajonin dhe se stabiliteti i tij mbetet një prioritet i lartë për Evropën dhe partnerët e saj,” shkroi Zebas në një tekst autorial për Deutsche Welle.
Në Prishtinë, Rutte do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Sipas paralajmërimeve, ai do të vizitojë misionin e KFOR-it, si dhe ekipin këshillues dhe të lidhjes së NATO-s (NALT), dhe do të zhvillojë bisedime me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, si dhe me zëvendësshefen e misionit të OSBE-së në Kosovë, Kornelia Taylor.
Analisti politik Artan Muhaxhiri beson se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Kosovë është shumë e rëndësishme dhe tregon se Kosova dhe rajoni janë të një rëndësie të madhe për NATO-n, e cila, sipas tij, është e mirë për stabilitetin e rajonit. Ardhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës në këtë kohë është domethënëse, vlerëson ai, edhe në kuadër të njoftimeve të presidentit amerikan Donald Trump për zvogëlimin e numrit të ushtarëve amerikanë në misionet ndërkombëtare, gjë që padyshim do të ndikojë në misionin e KFOR-it.
“Misioni i KFOR-it tani ka rreth 4.700 pjsëtarë, 600 prej të cilëve janë nga SHBA-ja. Nëse presidenti Trump vendos ta zvogëlojë këtë numër, atëherë mendoj se duhet të ketë një plan B. Besoj se në këto struktura më të larta tashmë kanë një plan dhe se do t'i tregohet lidershipit të Kosovës që të mos habiten dhe të gjendet zgjidhja më e mirë nëse kjo përfundimisht ndodh”, tha Muhaxhiri për Kosovo online.
Edhe këshilltari i lartë i Fondit ISAK, Marko Savkoviq, thotë se vizita e Rutte vjen në një moment gjeopolitik shumë delikat kur po diskutohet mundësia e tërheqjes ngadalë të Shteteve të Bashkuara nga Evropa.
“Kjo sigurisht ka implikime për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili është misioni më i gjatë nëse shikojmë misionet që ka pasur NATO-ja. Kjo vizitë vjen menjëherë pas vizitës së tij në BeH, në kuadër të një turneu rajonal dhe nuk është rastësi që Rutte zgjodhi rajonin tonë për të konfirmuar se NATO mbetet e përkushtuar për stabilitetin e saj. Nuk pres ndonjë mesazh të ndryshëm nga ata që patëm mundësinë të dëgjojmë nga paraardhësi i tij”, deklaroi Savkoviq për Kosovo online.
Ai e sheh ardhjen e Ruttes në Kosovë si dëgjim të terrenit për të përcaktuar se cila është situata reale. Sipas Savkoviqit, Kosova nuk është absolutisht stabile, pavarësisht se zgjedhjet e 9 shkurtit kaluan pa incidente të mëdha dhe NATO, thotë ai, sigurisht që ka shqetësime për stabilitetin e Kosovës.
"Është plotësisht e mundur që ata po kërkonin që vizita të bëhej pas zgjedhjeve, gjë që është e natyrshme. Madje është e mundur që ata kanë pritur që situata të jetë më e qartë, megjithëse kjo nuk është aq e rëndësishme tani, sepse Kosova nuk ka dalë nga ajo, si të thuash, krizë politike dhe mund të ketë zgjedhje të reja, por kjo nuk reflekton shumë se cili është misioni themelor i KFOR-it. Është e rëndësishme që ata të thonë se janë ende të pranishëm pavarësisht nga e gjithë gjeopolitika që po ndodh aktualisht dhe se janë të përkushtuar që të vazhdojnë të mbështesin të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, vlerëson Savkoviq.
Hulumtimet, shton ai, tregojnë se komuniteti serb në përgjithësi i besonte KFOR-it dhe se ekziston një marrëdhënie besimi.
"Ajo mund të jetë ndërprerë pjesërisht në vitet e mëparshme, kur pritej që KFOR-i të përpiqej të mbronte komunitetin serb nga qasja mjaft agresive e institucioneve në Prishtinë. Kjo nuk ndodhi sepse NATO mori një qëndrim që u pozicionua në mes”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Marko Millenkoviq nga OJQ-ja “Iniciativa e re Shoqërore” thotë për Kosovo online se edhe pse BeH aktualisht është më sfiduese në aspektin e sigurisë për shkak të ngjarjeve të javëve të fundit, Kosova mbetet problem jo vetëm për NATO-n por edhe për komunitetin ndërkombëtar.
Shqetësimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë, sipas Millenkoviqit, ekziston si për shkak të situatës së paqëndrueshme politike, mungesës së progresit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mungesës së konstruktivitetit të përfaqësuesve politikë të Prishtinës ndaj bashkësisë ndërkombëtare në periudhën e kaluar.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte me siguri po vjen për të dërguar një mesazh se NATO dëshiron të vazhdojë të jetë e pranishme në rajon si një iniciativë parësore e sigurisë dhe se pavarësisht ndryshimeve globale që po ndodhin në këtë moment, politika e NATO-s ndaj rajonit nuk po ndryshon”, thotë ai.
Tema e vizitës së Rutte në Kosovë, siç beson ai, mund të jetë tërheqja e mundshme e ushtarëve amerikanë nga KFOR-i.
“Dhe jo vetëm nga aspekti i tërheqjes së ushtarëve, por edhe nga aspekti politik, sepse në periudhën paraprake edhe administrata e Kosovës edhe bashkësia ndërkombëtare ishin mësuar me përkrahje të fuqishme nga administrata amerikane dhe Departamenti i Shtetit. Kjo me siguri do të ndryshojë në periudhën e ardhshme, prandaj është e rëndësishme të merret në konsideratë ky aspekt politik, sepse mungesa e mundshme e një aktori kyç ndërkombëtar në masën në të cilën ka qenë i pranishëm në Kosovë deri më tani, ndoshta po shqetëson disa nga palët”, thotë Millenkoviq.
0 komentet