Ekspozuesit në panairin "Wine Vision": Ballkani i hapur duhet të rritet dhe të zgjasë
Ekspozuesit në panairin e tretë "Wine Vision of the Open Balkans", i cili u hap dje në Beograd, nuk kanë dyshim se iniciativa Ballkani i Hapur është e dobishme, thonë se lehtëson biznesin dhe bashkëpunimin e tyre dhe shpresojnë se do të zgjasë.
“Ky është një manifestim rajonal dhe përfitimi është i madh. Produktet tona janë më të aksesueshme për klientët që janë të njohur me verërat jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga rajoni”, na tha Jani Bogeski nga kantina “Bovin” nga Maqedonia e Veriut.
Për sa i përket Ballkanit të Hapur si nismë, ai thekson se është një proces në vazhdim dhe se duhet të ketë një lehtësim përfundimtar të procedurave administrative, por lehtësimi ndihet.
Njëra nga marrëveshjet në kuadër të Ballkanit të Hapur rregullon qasjen e lirë në tregun e punës në të tri vendet pjesëmarrëse në iniciativë, por Bogeski thotë se numri i punëtorëve është në rënie.
“Le të shpresojmë për më mirë. Unë sinqerisht shpresoj që iniciativa të zhvillohet sepse ideja ishte e mirë, dhe zbatimi është edhe më i mirë”, thotë ai.
Kevin Gaçi nga distileria "Melisin" nga Shqipëria, e cila prezantohet për herë të parë në panairin "Wine Vision of the Open Balkans", beson se iniciativa duhet të rritet dhe beson se do të rritet.
"Ka shumë pjesëmarrës këtu, ju mund të ndërveproni me distileri të ndryshme, shitës, konsumatorë dhe lloje të ndryshme klientësh nga shumë vende në të njëjtën kohë dhe kjo është shumë e dobishme për ne. Iniciativa patjetër duhet të zgjerohet, sepse Ballkani është një rajon i madh i përbërë nga vende të vogla, por nëse punojmë së bashku, atëherë është diçka që duhet eksploruar”, thotë Gaçi.
Ai thekson se Ballkani i Hapur e bën më të lehtë gjetjen e fuqisë punëtore, por thekson se gjetja e shitësve dhe blerësve është pjesa më e vështirë.
“Meqenëse jemi të rinj në tregun ballkanik, pjesa më e rëndësishme për ne është që klienti ta provojë produktin, për të parë nëse i pëlqen. Ne kemi nevojë për më shumë shitës. Kjo është një pjesë e ndërlikuar e kësaj pune”, na tha Gaçi.
Tijana Radovanoviq nga kantina e verës “Radovanoviq” thotë se në panair marrin pjesë për herë të tretë si prodhuese dhe se janë shumë të kënaqura sepse në këtë event mund të kenë kontakte me distributorë vendas dhe të huaj.
“Kushdo që dëshiron të eksportojë verë diku jashtë Serbisë, mendoj se është e mundur pas këtij panairi. Me të vërtetë mund të shihni shumë njerëz të rinj në panair, ai është shumë mirë i organizuar, në nivel evropian dhe botëror dhe shpresoj shumë që do të zgjasë”, thotë Radovanoviq.
Ajo beson se marrëveshjet e arritura në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, përfshirë marrëveshjen për lejet e punës, lehtësojnë bashkëpunimin.
“Sa i përket tregut të punës, shumë kolegë tashmë kanë krijuar marrëdhënie të caktuara dhe shumë njerëz nga jashtë tashmë janë duke punuar në Serbi, veçanërisht në sektorin e vreshtarisë, pasi atje gjithmonë kemi nevojë për njerëz të rinj”, tha Tijana Radovanoviq.
komentet