Bumbiq: Ballkani Perëndimor shënon rritje të pagave minimale, por ato vështirë arrijnë shportën konsumatore

Nenad Bumbić
Burim: Kosovo Online

Ekonomisti Nenad Bumbiq nga Këshilltari i Konsumatorit deklaroi për Kosovo online se Ballkani Perëndimor shënon trend rritjeje të pagave minimale, por ato megjithatë nuk ndjekin shportat minimale konsumatore.

„Në përgjithësi, për të gjitha vendet e rajonit trendi është se ekziston një rritje e konsiderueshme e pagave minimale, por problemi kryesor është se këto paga minimale me shumë vështirësi ‘kapin’ shportën konsumatore, madje as atë minimale. Problemi kryesor është se shportat konsumatore nuk pasqyrojnë atë që janë nevojat tona“, thekson Bumbiq.

Si ilustrim jep shembullin e shportës minimale konsumatore në Serbi, në të cilën për një muaj për një familje me tre anëtarë parashikohet të ndajnë 200 gram sallam ose një paketim më të madh të lëngut natyral.

„Kjo është një situatë ku mysafiri mund të vijë tek ju një herë në muaj, e nëse vjen dy herë nuk do të keni me çfarë ta shërbeni. Kjo shportë minimale konsumatore në asnjë mënyrë nuk pasqyron atë që janë nevojat reale, minimale, jo për një jetë normale, por për mbijetesë“, thotë Bumbiq.

Ai shton se nga analiza e shportave konsumatore në rajon shihet se „qytetarët do të donin që politikanët të provonin të jetonin kështu“.

„Vështirë që dikush realisht do të mund të mbijetonte me ato shporta konsumatore“, thekson ky ekonomist.

Ai kujton se Ballkani Perëndimor ende mbështetet në modelet e shportave konsumatore nga ish-RSFJ, me atë dallim që po ulen „shpenzimet e panevojshme“.

„Realisht, krahasuar me kohën kur ishim në RSFJ dhe sot, kemi një rënie objektive të pasurisë dhe përmbajtjes së shportave konsumatore në të gjitha vendet e rajonit“, shpjegon Bumbić.

Ai thekson se sipas të dhënave të Eurostatit për gusht, pagën minimale më të lartë në rajon e ka Kroacia me 970 euro, ndërsa nëse shikohen vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë është Mali i Zi me 670 dhe Serbia me 618 euro.

„Por, të dhënat e Eurostatit shprehin pagat minimale në bruto, e jo në neto siç jemi mësuar ne“, nënvizon ky ekonomist.

Në tabelën e Eurostatit, në Maqedoninë e Veriut paga minimale është 584, ndërsa në Shqipëri 551 euro.

Ai precizon se hulumtimi i Eurostatit nuk përfshin Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.

Bumbiq thotë se rritja e pagave minimale në thelb krijon „dy efekte“ nga të cilat përfitojnë vetëm dy grupe të punësuarish.

„E para janë ata të punësuar që kanë paga të llogaritura sipas koeficientëve në të cilët hyjnë pagat minimale ose mesatare. E dyta ka të bëjë me buxhetet e shteteve në rajon. Në këtë mënyrë mbushen kryesisht fondet pensionale. Dhe pastaj, kur rrisim pagat minimale, nuk rrisim aq për numrin real të njerëzve që vërtet marrin pagën minimale, por më tepër theksi është tek fakti se zvogëlohet ai pjesë i parave që shkon në të zezë, që punëdhënësit e paguajnë në të zezë, ndërsa rritet pjesa e tatueshme që do të mbushë buxhetin. Me këtë krijohen kushte për rritjen e pagave të përfituesve buxhetorë dhe të pensioneve“, sqaron Bumbiq.