Çadezh: Prishtina e ka tepruar, është e rëndësishme të ndalet politika joracionale e ndalimit të importit të mallrave
Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, ka deklaruar për Kosovo online se të gjitha veprimet diplomatike të BE-së dhe SHBA-së ndaj Prishtinës janë ezauruar për shkak të vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe, që i dëmton të gjithë, dhe shtoi se i vjen mirë që ka instrumente politike për të ndaluar një politikë të tillë irracionale.
“Mendoj se të gjitha veprimet e mundshme diplomatike që vendet e BE-së, përfshirë edhe SHBA, kishin ndaj institucioneve në Prishtinë, për heqjen e bllokadës ndaj produkteve nga Serbia qendrore, tani janë shfrytëzuar, dhe ndoshta tani i ka tejkaluar të gjitha masat dhe njerëzit e kanë humbur durimin”, tha Çadezh në Nju Jork, ku po qëndron si anëtar i delegacionit të udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.
Çadezh theksoi se nuk ka asnjë arsye racionale për një bllokadë të tillë, e cila dëmton jo vetëm kompanitë serbe, por edhe kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Serbi, dhe sigurisht edhe kompanitë kosovare nga Prishtina, Peja e të tjera, të cilat importonin produkte gjysëm të gatshme nga Serbia qendrore dhe fitonin para prej saj, dhe tani ata duhet të paguajnë shumë më tepër në tregjet e tjera.
“Kjo masë ka kohë që po i dëmton të gjithë dhe më vjen mirë që tani ka instrumente politike për të ndalur këtë politikë irracionale dhe që politikanët të fokusohen në atë që duhet të bëjnë, dhe kjo është gjetja e zgjidhjeve politike dhe lënia e funksionimit të ekonomisë dhe njerëzit të jetojnë normalisht”, tha Çadezh.
Kur je pjesë e një procesi politik që duhet të sigurojë stabilitet dhe sillesh sikur nuk e dëshiron - atëherë ky është një problem, vëren ai.
Ai shtoi se ai vetë si kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, por edhe kolegu i tij nga Oda Ekonomike e Kosovës, apelojnë dita-ditës që gjërat të normalizohen.
“Deri më tani nuk kemi pasur sukses në këtë, kur është fjala për të dëgjuar institucionet e Kosovës, para së gjithash kryeministrin e tyre Albin Kurti, por shpresoj se dikush tjetër mund të thotë ndryshe”, ka shtuar Çadezh.
Kritika ndaj Prishtinës për shkak të ndalimit të importit të mallrave serbe, duke bllokuar kështu Ceftën, ka ardhur së fundi nga Gjermania, ku janë dëgjuar kërcënime për përjashtimin e Kosovës nga procesi i Berlinit.
Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, Tomisllav Momiroviq, dy ditë më parë në Berlin tha se më 9 tetor në Beograd është thirrur një takim i posaçëm i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, në të cilin pritet zhbllokimi i marrëveshjes CEFTA, që nënkupton edhe heqjen e “bllokadës së tregtisë ilegale” për mallrat që vijnë në Kosovë nga Serbia qendrore.
0 komentet