Gaçeviq: Kosova mori kryesimin e CEFTA-s, në fokus Plani i ri i Veprimit

Cefta
Burim: Cefta

Kosova ka marrë kryesimin e marrëveshjes CEFTA nga Serbia, dhe në fokus do të jetë zbatimi i Planit të ri të Veprimit për krijimin e tregut rajonal, tha për RTS ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Sekretariatit të CEFTA-s, Danijella Gaçeviq.

"Kryesimi po kalon nga Beogradi në Prishtinë. Fillojmë me zbatimin e Planit të ri të Veprimit për krijimin e tregut rajonal. Në të ka organe të reja, siç është organi për pronësinë intelektuale. Korniza institucionale e CEFTA-s po zgjerohet, gjë që tregon gamën e temave me të cilat merremi. Çdo palë do të kryesojë një organ, gjë që është e rëndësishme për arritjen e rezultateve të mëtejshme dhe mbështetjen e suksesit të integrimeve rajonale," shpjegoi Gaçeviq.

E pyetur se sa e rëndësishme është CEFTA për ekonominë e Serbisë, ajo rikujtoi se Serbia tradicionalisht arrin suficit në tregtinë me palët e CEFTA-s.

"Kjo mund të përmirësohet me masat për të cilat po punojmë. CEFTA është tregu i dytë më i rëndësishëm pas BE-së," theksoi Gaçeviq.

Ajo vuri në dukje se gjatë vitit të kaluar, gjatë kryesimit të Serbisë, u arrit shumë, duke përfshirë miratimin e një grupi vendimesh nga Komiteti i Përbashkët, që lidhen, për shembull, me njohjen e subjekteve ekonomike të autorizuara, krijimin e një kornize për përmirësimin e tregtisë elektronike, bashkëpunimin në fushën e turizmit, menaxhimin e rrezikut, si dhe rekomandime lidhur me kartonin e gjelbër.

Ajo theksoi se aktivitetet e mëparshme ishin mbuluar nga një plan katërvjeçar dhe se ato të ardhshme do të mbulohen nga Plani i ri për periudhën 2025-2028.

Siç tha ajo, CEFTA jep një kontribut të rëndësishëm në integrimin rajonal, dhe zbatimi i aktiviteteve ka bërë një hap përpara në integrimet rajonale dhe një hap më afër integrimeve evropiane.