Mulaj: Kosova ka inflacionin më të lartë në rajon
Eksperti i ekonomisë Ismet Mulaj vlerësoi se pretendimet për rritje ekonomike dhe përmirësim të klimës së investimeve nuk pasqyrojnë gjendjen reale të ekonomisë në Kosovë, duke theksuar se rritja e raportuar bazohet kryesisht në konsum, remitanca nga diaspora dhe ndihma sociale, e jo në reforma strukturore dhe investime në kapacitete të reja prodhuese që do të siguronin zhvillim të qëndrueshëm.
Mulaj në një intervistë për Ekonomia online tha se përdorimi i statistikave për qëllime politike nuk është një dukuri e re, duke shtuar se realiteti ekonomik në Kosovë është ndryshe nga shifrat që prezantohen.
“Kosova sot ka inflacionin më të lartë në rajon, sipas raporteve profesionale të Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore. Rritja ekonomike nuk është rezultat i zhvillimit të prodhimit, por i rritjes së konsumit dhe çmimeve, i parave që vijnë nga diaspora dhe, në fakt, i ndihmës sociale që ka shpërndarë Qeveria e Kosovës”, tha ai.
Ai shtoi se Kosova vazhdon të përballet me mungesë reformash strukturore, probleme në sektorin energjetik, sigurinë juridike dhe infrastrukturën, gjë që ndikon negativisht në tërheqjen e investimeve.
“Kosova ka probleme të mëdha me furnizimin me energji elektrike, probleme serioze me sigurinë juridike, siç konfirmohet nga raporte të ndryshme, si dhe probleme me infrastrukturën. Nëse sot një kompani dëshiron të investojë në Kosovë, ajo përballet me vështirësi të mëdha për të marrë tokë nga shteti për ndërtimin e një objekti biznesi, ndërsa kostot janë të larta. Paqëndrueshmëria politike jo vetëm që dëmton imazhin e Kosovës, por bën që ajo të mos jetë një partner serioz për komunikim me kompanitë e interesuara për investime”, theksoi ai.
Mulaj nënvizoi se remitancat nga diaspora vazhdojnë të jenë një mbështetje e rëndësishme për ekonominë familjare, por nuk krijojnë kapacitete të reja prodhuese.
Ai kritikoi gjithashtu nivelin e realizimit të investimeve kapitale, duke vlerësuar se vonesat në projekte krijojnë efekte negative zinxhirore në ekonomi.
“Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të ketë një qasje krejtësisht tjetër ndaj sektorit të biznesit dhe shpenzimit të buxhetit. Sot pothuajse asnjë projekt i investimeve kapitale nuk përfundon në kohë. Të gjitha kompanitë që punojnë dhe marrin kontrata nga shteti, nëse projektet nuk realizohen brenda afatit, përballen me probleme në pagesën për punët e kryera. Kjo shkakton një efekt negativ zinxhiror në ekonomi”, shpjegoi ai.
Sipas Mulajt, Kosovës i nevojitet një normë më e lartë e rritjes ekonomike në mënyrë që të jetë konkurruese dhe e gatshme për integrim në tregun evropian.
“Natyrisht që kjo do të vazhdojë ta rrisë inflacionin dhe do të sjellë një rritje ekonomike të moderuar. Kosovës nuk i nevojitet një rritje prej 3.5 apo 5.5 për qind, por më shumë se tetë për qind, në mënyrë që të bëhet një ekonomi konkurruese dhe t’i afrohet standardeve të nevojshme për anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian. Ekonomia duhet të përgatitet që të jetë konkurruese me kompanitë nga Bashkimi Evropian. Nëse nuk i përgatisim ndërmarrjet, shumë prej tyre do të falimentojnë dhe ne do të shndërrohemi në një vend importuesish, e jo prodhuesish”, përfundoi Mulaj.
0 komentet