Rafuna: Kriza në parlament ka ndikim të madh tek ekonomia, partitë politike sa më parë të formojnë institucionet
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna vlerëson në një intervistë për Kosovo onlaj se situata momentale politike dhe kriza institucionale në Kosovë kanë mjaft ndikim tek ekonomia, duke bërë të ditur se gjendja momentale ndikon tek të gjithë sektorët pa përjashtim. Ai apeloi tek partitë politike në Kuvendin e Kosovës që sa më parë t’a bëjnë parlamentin funksional.
Rafuna thekson se si pasojë e mosfunksionimit të institucioneve dhe parlamentit dhe bllokada, mjaft projekte kapitale qëndrojnë të pashfrytëzueshme duke u shprehur se dhe për të hollat nga Plani i Rritjes nevojitet ratifikimi në Kuvend.
Ai gjithashtu shton se Kosova duhet të punojë për rritjen e eksporteve ashtu sikurse dhe për subvencionimin e disa sektorëve, duke përmendur se Kosova importon mallra në nivelin vjetor me vlerë prej 6 miliardë euro, ndërsa eksportet janë gati 1 miliardë.
Zoti Rafuna, sa ndikon në ekonomi situata politike e institucionale?
Ndikon mjaft, pasi kemi gati 900 milionë euro në projkete kapitale që qëndrojnë si pasojë e parlamentit pasi duhet të çertifikohet marrëveshja që kemi me Bankën Botërore dhe organizata dhe qeveri të tjera të huaja. Nëse do të kishim këto të holla që shkojnë tek projektet kapitale, rritja ekonomike do të ishte tjetër. Ndaj shfrytëzoj rastin që përmes medias suaj të ftoj të gjitha partitë politike në Kuvend që sa më parë t’i bëjnë institucionet funksionale.
Kush është më tepër i kërcënuar dhe si manifestohet kjo (a ka ardhur deri në pushimin e punonjësve nga puna, paga të ulëta, pakësimin e eksporteve...)?
E para duhet që të formohet Kuvendi, pasi na nevojiten ligje. Shikoni se çfarë dinamike kemi këtu. Kemi dhe planin e zhvillimit nga Unioni Europian ku gjithashtu duhet që të ratifikohet përmes Kuvendit dhe e gjitha kjo ka ndikim në të gjithë sektorët, jo vetëm tek një sektor, përshembull tek ai ndërtimor, këtu është dhe ai bujqësor, këtu janë të gjithë sektorët.
Nëse do të kishim reforma dhe të holla, do të kishim dhe rritje të prodhimit, çka automatikisht do të çonte deri në rritje të eksporteve. Momentalisht eksportet mbulojnë vetëm rreth 13% të importeve, ky numër duhet të ndryshojë.
Si është situata me investimet e huaja?
Nëse shikojmë situatën nga viti i kaluar, apo dy tre vite më parë, qëndrojmë në të njëjtin nivel, kjo shifër është 800 milionë euro, ndërsa investimet më të mëdha vijnë nga diaspora jonë. Duhet të punohet më shumë tek kjo, ligji për investitorë strategjik duhet që të reduktohet urgjentisht, që proçedurat të jenë më të shkurtëra dhe më pak të komplikuara.
A keni në qeverinë aktuale (teknike) bashkëbisedues, që të dëgjojë disa apele nga biznesmenët dhe Shoqata?
Ne bashkëpunojmë, por si qeveri teknike, ata nuk kanë të drejtë që të merren me disa zgjidhje strategjike. Ndaj duhet që të pritet qeveria e re, qeveri me fuqi të plotë, që do të zgjidhë dhe përgatisë ligjet, që situata të ndryshojë.
Çfarë është ajo që duhet ndryshuar në Kosovë për të përmirësuar ekonominë?
Duhet t’a shikojmë se në cilin sektor jemi konkurrues dhe se duhet mbështetur sektori që eksporton më shumë. Duhet të ndryshohet situata e eksportit dhe importit. Për shembull, kemi industrinë e drurit, të mobiljeve, kemi sektorin e IT, industrinë e metaleve, duhet të shikojmë se cilët sektorë mund të subvencionojmë dhe të rrisim eksportet dhe të ulim importet. Kosova importon mallra me vlerë rreth 6 miliardë dhe eksporton rreth 1 miliardë. Çdo vit shifra ndryshon, eksportet rriten pak, por edhe importet.
Zyra Rregullatore për Energjinë (RUE) njoftoi se proçesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është detyrim ligjor dhe europian, i përcaktuar nga ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2016. Megjithatë, ju paralajmëruat se ky vendim mund të ketë pasoja për ekonominë. Cila është zgjidhja?
Ndërmarrjet ishin të detyruara të kishin kontratë me ndonjë kompani që merret me distribuimin e energjisë elektrike. Ne kërkuam se egziston një periudhë tranziti prej një viti, sepse afati ishte shumë i shkurtër, vetëm dy muaj për t’a përgatitur. Njoftimi ynë erdhi në mars dhe më 1 qershor, mbërriti vendimi që të gjithë ata që përmbushin kushtet, kanë mbi 50 punonjës ose kanë xhiro prej më shumë se 10 milionë, duhet të hyjnë në tregun e lirë të energjisë. Ne kërkuam periudhë tranziti një vjeçare, që tregu të jetë më i përgatitur, që të kemi më shumë mundësi se ku të blejmë energji elektrike dhe tjetra, të kemi paketë që do të mbështesë bizneset në tregun e lirë dhe bashkarisht të gjejmë zgjidhje në cilën datë apo muaj i përshtatshëm për të patur qasje në tregun e lirë të energjisë. Ata nuk dëshironin të dëgjonin këshillat tona dhe tani çështja është në gjykatë.
0 komentet