OES: Eksporti i mallrave serbe në Kosovë pas heqjes së ndalimit është 30 për qind më i ulët se para kësaj mase

Qeveria e Kosovës në tetor të vitit të kaluar e hoqi pjesërisht ndalimin e importit të mallrave serbe, duke lejuar hyrjen vetëm përmes një pikëkalimi, në Merdar, dhe sipas të dhënave që Kosova online ka marrë nga Qendra për Bashkëpunim Rajonal e Odës Ekonomike të Serbisë, eksporti i përgjithshëm i mallrave serbe në Kosovë nga tetori 2024 deri në fillim të shkurtit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve 2022-2023, para vendosjes së ndalimit, është më i ulët për 30,2 për qind.

"Ekporti i përgjithshëm i mallrave serbe nga tetori 2024 deri në fillim të shkurtit 2025 arrin në 104 milionë euro, që në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve 2022-2023, para vendosjes së ndalimit, është më i ulët për 45 milionë euro, pra për 30,2 për qind, pasi në atë periudhë arrinte në 149 milionë euro," thuhet nga Qendra për Bashkëpunim Rajonal e Odës Ekonomike të Serbisë.

Nëse krahasojmë muajt para vendosjes së ndalimit dhe pas heqjes së tij, eksportet janë mesatarisht më të ulëta për 11.25 milionë euro në muaj.

“Kur e shikojmë individualisht, në tetor 2022 janë eksportuar mallra në vlerë prej 42.9 milionë euro, ndërsa në tetor 2024 ato eksporte kanë qenë më të vogla dhe në vlerë prej 27.9 milionë euro. Në nëntor 2022, eksportet ishin 39.3 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ishin 26.8 milionë euro, në dhjetor diferenca ishte më e vogël, pra eksportet në vitin 2022 ishin 35.8 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ishin 26.6 milionë euro. Në janar të vitit 2023, vlera e mallrave të eksportuara në tregun e Kosovës ka qenë 31 milionë euro, ndërsa në vitin 2025, eksportet kanë qenë 22.6 milionë euro”, kanë thënë nga OES.

Për shkak të ngadalësimit të punës dhe pezullimeve të herëpashershme të doganës së Kosovës në vendkalimin Merdar, i cili ka statusin e Korridorit të Gjelbër, nga OES thonë se dërgesat janë duke u përpunuar me volum dukshëm më të ulët se zakonisht, ndërsa në të njëjtën kohë nuk ka të dhëna se vendkalimet tjera do të jenë të hapura për kalimin e mallrave.

“Numri i kamionëve që kalojnë në Merdar çdo ditë varion nga 90 në 120, gjë që krijon mbingarkesë të konsiderueshme dhe disa kilometra radhë, ose më shumë se 150 kamionë. Për krahasim, Dogana e Kosovës kontrollonte rreth 250 kamionë në ditë në vendkalimin Merdar në kushte të rregullta, ndërsa kapaciteti i këtij vendkalimi, pas përmirësimeve të infrastrukturës të financuara nga Bashkimi Evropian, është rritur në 400 kamionë. Këto bllokime i komplikojnë më tej gjërat për transportuesit nga Serbia, Kosova dhe rajoni, të cilët po përballen me vonesa të gjata deri në katër ditë. Pritja në radhë dhe kushtet e këqija i demotivojnë transportuesit që të pranojnë transportin e mallrave për në Kosovë, sepse në kushte të rregullta mund të udhëtojnë më shumë në tregjet tjera”, thuhet në OES.

Ata kujtojnë se që nga 8 korriku 2023, kur u lehtësua vendimi për ndalimin për lëndët e para, gjysëmfabrikat, plehrat minerale dhe ushqimin e kafshëve, makineritë dhe pajisjet, këto mallra mund të kalonin nëpër të gjitha vendkalimet dhe se tani situata është më e vështirë, duke qenë se të gjitha mallrat e ngarkuara në Serbi, qoftë edhe transit, duhet të shkojnë në Merdar, gjë që justifikohet me kërcënimet e sigurisë. Ata gjithashtu theksojnë se ka kapacitete për qarkullim më të madh dhe kontroll të trafikut nëpër vendkalimin Merdar dhe se ky lloj problemi nuk ka ekzistuar deri në vendosjen e embargos.

Masa për ndalimin e importit të mallrave serbe është miratuar më 14 qershor 2023. Më 7 tetor 2024, Qeveria e Kosovës e hoqi atë vetëm për vendkalimin e Meradrit, ku u rrit kontrolli, ndërsa vendkalimet tjera mbetën të mbyllura për mallrat serbe derisa, siç u tha, u blenë skanerë.