Sejdarasi: Kosova ka produkte dhe shërbime të nevojshme për vendet e EFTA

Bardhi Sejdaraši
Burim: Kosovo Online

Kosova ka potencial dhe mund të përfitojë nga një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë me anëtarët e EFTA-s sepse ka një sërë produktesh dhe shërbimesh të nevojshme për vendet e EFTA-s, thotë për Kosovo online Bardh Sejdarasi, ekspert ekonomik dhe autor i emisionit “Sheshi i Dollarit” në ABC News nga Tirana.

“Kjo marrëveshje krijon mundësi për sipërmarrësit nga Kosova dhe nga vendet e EFTA-s që të kenë marrëdhënie tregtare pa tarifa doganore. Kjo i ndihmon bizneset të kenë mallra dhe shërbime konkurruese dhe të kenë mundësi të arrijnë bashkëpunim tregtar, qoftë me vendet e BE-së, qoftë me vendet e rajonit. Gjithashtu, marrëveshjet e tilla e përgatisin ekonominë e secilit shtet, përfshirë edhe atë të Kosovës, që të jetë e hapur dhe të respektojë standardet e tregtisë së lirë, të mos ketë barriera dhe të ketë mundësi të rrisë prodhimin vendor me qëllim të eksportit”, thotë Sejdarasi.

Ai rikujton se të njëjtën marrëveshje me anëtarët e EFTA-s – Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, të cilën Kosova e nënshkroi muajin e kaluar, është nënshkruar edhe nga Shqipëria më 17 dhjetor 2009 dhe ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2010.

“Që atëherë, qeveria shqiptare dhe sipërmarrësit shqiptarë kanë mundur të bëjnë tregti më të lirë me vendet që janë pjesë e EFTA-s. Kjo nënkupton liberalizimin e tregtisë mes këtyre vendeve, pra heqjen e tarifave doganore që realisht rëndojnë biznesin, sepse ka disa tarifa që vendosen për të gjitha produktet që importohen apo eksportohen. Fakti është se pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve ka një ritëm të mirë të rritjes së treguesve të tregtisë mes këtyre vendeve, edhe pse ende nuk është në nivelin që duhet të jetë”, thekson Sejdarasi.