Shahini: Në Kosovë papunësia 35% ndërsa "importojmë" punëtorë nga India dhe Bangladeshi
Presidenti i Aleancës së Biznesit të Kosovës Agim Shahini ka thënë se sipas të dhënave që ata disponojnë, shkalla e papunësisë arriti në 35% por edhe përveç kësaj, Kosova "importon" fuqi punëtore pasi punëtorët vendas nuk duan të punojnë me paga të ulëta, veçse janë të vendosur të punojnë për jetë më të mirë jashtë shtetit.
Shahini për Kosovo onlajn ka thënë se punëtorët e huaj kryesisht vijnë nga Turqia, India, Bangladeshi ndërsa vendasit shkojnë drejt Gjermanisë.
"Shkalla e papunësisë në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, është më shumë se 20%, ndërsa sipas të dhënave joqyrtare shkon mbi 35%. Ne 'importojmë' fuqi punëtore prej disa vendeve, zakonisht nga Turqia, India dhe Bangladeshi. Ata vijnë në Kosovë për punë, dhe arsyeja përse punëtorët tanë nuk punojnë edhe me këtë papunësi, është sepse ata kanë të tillë standart jetese, marrin ndihmë nga familjarët prej diasporës dhe nuk duan të punojnë me paga të ulëta" thotë Shahini.
Ky i fundit thekson se pas liberalizimit të vizave për vendet e BE e cila hyn në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, do të vijë vala e largimeve e punonjësve të gatshëm nga Kosova.
"Të rinjtë presin 1 janarin e vitit 2024 të largohen në vendet e Europës për të kërkuar jetë dhe standart më të mirë. Më shumë largohen apo planifikojnë të largohen drejt Gjermanisë, si pasojë e ligjit të liberalizimit të tregut të punës i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor dhe ku çdo punëtor apo turist nga Ballkani ku në këtë vend gjen punë, me procedurë të përshpejtuar do të ketë leje të nevojshme për qëndrim dhe punë. Fillimisht shkon tek kompania ku ka gjetur punë, pastaj në komunë dhe ata i japin vizën e punës në afat brenda një muaji. Ne si Aleancë e Bizneseve të Kosovës, i kemi paralajmëruar biznesmenët se nëse duam t’a mbajmë fuqinë punëtore, duhet të rrisim pagat dhe se kjo është e vetmja rrugë” thekson Shahini.
Ky i fundit shton se vlerësohet se pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, prej Kosovës do të largohen 150.000 njerëz çka për Kosovën është numër shumë i madh.
"Nëse marrim një mesatare, në vitin 2021 u larguan më shumë se 55.000 punëtorë me leje pune për në Gjermani. Në vitin 2022 rreth 60.000 njerëz të profesioneve të ndryshme u larguan por më shumë ata që janë të trajnuar për punë. Jashtë shtetit marrin rrogë pesë herë më shumë sesa në Kosovë. Sipas hulumtimeve të cilat i kemi bërë, për vitin 2024 do të kemi një numër prej 150.000 njerëzish që do të largohen nga Kosova drejt vendeve të BE, çka për ne është numër mjaft i lartë pasi jemi të vegjël dhe kemi numër të vogël qytetarësh, prandaj do të kemi mungesë të konsumatorëve, votuesve dhe fuqisë punëtore”, tha Shahini.
Pyetjes nëse ka ndikuar politika e Qeverisë së Kosovës për largimin e të rinjve, duke pasur parasysh marrëdhëniet e pazgjidhura me Sërbinë dhe bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Shahini thotë se të dyja qeveritë si të Sërbisë si të Kosovës, duhet të gjejnë strategji për mbajtjen e të rinjve.
“Qeveria e Sërbisë dhe Qeveria e Kosovës duhet të kenë parasysh se, sipas hulumtimit të bërë nga Eurostat, largimi i qytetarëve si nga Kosova ashtu edhe nga Sërbia është i madh. Deri në vitin 2030 Sërbia do të ketë rreth pesë milionë qytetarë, kurse Kosova më pak se një milion. Të dy qeveritë duhet të krijojnë strategji për të mbajtur të rinjtë. Nëse kjo vazhdon, do të kemi një numër edhe më të madh largimesh, si nga Sërbia ashtu edhe nga Kosova. Kështu që sa më shpejt të zgjidhen këto marrëdhënie, aq më mirë për ekonominë dhe qytetarët” përmbylli Shahini.
0 komentet