Rute: Aleanca mbrojtëse e NATO-s - nuk do të sulmojmë kurrë askënd, do të mbrojmë demokracinë dhe territorin tone
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, përsëriti sot se Aleanca e sheh Rusinë si një kërcënim, por edhe se në ditën e dytë të Samitit në Ankara, do të merret me mbështetjen për Ukrainën, Iranin, si dhe Ngushticën e Hormuzit, për të cilën theksoi se është e nevojshme të mbetet e kalueshme.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është mesazhi për Rusinë dhe Presidentin Vladimir Putin, Rute tha se Aleanca përfaqëson një miliard njerëz nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa dhe se do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
"NATO është një aleancë mbrojtëse. Ne nuk do të sulmojmë kurrë askënd. Ne do të mbrojmë vetëm mënyrën tonë të jetesës, demokracinë dhe territorin tonë. Mos na kini inat. Ky është mesazhi", tha Rute.
Ai tha gjithashtu se sulmet e fundit të SHBA-së ndaj Iranit ishin absolutisht të nevojshme, duke vlerësuar se Uashingtoni duhej të reagonte me vendosmëri sepse Irani kishte shkelur armëpushimin.
Duke folur për marrëdhëniet brenda Aleancës, Rute tha se Presidenti i SHBA-së Donald Trump është plotësisht i përkushtuar ndaj NATO-s, por se Uashingtoni në të njëjtën kohë me të drejtë pret që anëtarët evropianë dhe Kanadaja të rrisin alokimet e mbrojtjes dhe të ndajnë kostot në mënyrë më të barabartë brenda Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu gjithashtu kënaqësi për samitin në Ankara, duke deklaruar se këtë vit fokusi është në zbatimin e asaj që u ra dakord vitin e kaluar në Hagë.
0 komentet