Gashi: Gjykimet në Hagë të shënuara me zavarritje, vendimi për Thaçin këtë vit apo në fillim të vitit të ardhshëm

Tom Gaši
Burim: Kosovo Online

Avokati nga Prishtina Tom Gashi ka vlerësuar se puna e deritanishme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është shënuar me zavarritje dhe shprehu pritjen që aktgjykimi i shkallës së parë në gjykimin kyç kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së mund të merret deri në fund të këtij viti ose më së voni në fillim të vitit të ardhshëm.

“Prokurori ka propozuar të gjithë dëshmitarët dhe afërsisht deri në mars apo prill të këtij viti ata do të kenë përfunduar dëshminë e tyre. Pastaj vjen faza kur avokatët mbrojtës dhe klientët propozojnë dhe marrin në pyetje dëshmitarët e mbrojtjes. Mendoj se gjatë këtij viti, e ndoshta edhe në fillim të vitit të ardhshëm do të përfundojë gjykimi”, ka thënë Gashi për Kosovo online.

Duke komentuar punën e deritanishme të kësaj gjykate, Gashi thotë se ajo është karakterizuar me zvarritje.

"Ne të gjithë e dimë se po zvarritet. Por, duke pasur parasysh faktin se këtë gjykatë speciale mund ta trajtojmë edhe si ndërkombëtare, rastet e veprave penale dhe të akuzave për krime lufte dhe vepra të tjera penale nuk janë përfunduar asnjëherë në procedurat që kanë zgjatur më pak se pesë vjet. Unë kam thënë vazhdimisht se këto gjykime do të zgjasin shumë, dhe se gjykimet në Gjykatën Speciale do të zgjasin së paku edhe një vit – një vit e gjysmë”, thotë Gashi.

Duke komentuar deklaratën e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu se duhet të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar apo vendor për të monitoruar të paktën të drejtat e të akuzuarve, anshmërinë e gjykatës dhe rrethana të tjera, Gashi thotë se është një propozim i mirë, por aktualisht i pamundur.

“Kjo do të ishte shumë mirë, por tani për tani është pothuajse e pamundur pasi që nuk është paraparë fare në Ligjin për Gjykatën Speciale”, thotë Gashi.

Ai mendon se kjo është dashur të merret në konsideratë nga deputetët që kanë votuar më 2 gusht 2015 për formimin e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë.

“Ata pastaj duhet të mendojnë se çfarë do të ndodhë me këtë gjykatë, kush do të jetë në krye, si do të funksionojë... Në Kosovë kemi një Këshill Gjyqësor, por ai institucion nuk ka asnjë autoritet kur është fjala për Gjykatën Speciale me seli në Holandë, në Hagë.””, thekson Gashi.