Milosavleviq: Gjykimi në rastin “Reçak“ mjaft i vështirë dhe i pakëndshëm, aktakuza ka mjaft palogjikshmëri
Avokatja Milka Milosavleviq pas mbajtjes së seancës për rastin “Reçak” theksoi se është proces mjaft i vështirë dhe se në aktakuzën e Prokurorisë ka mjaft palogjikshmëri dhe se do të paraqesë kërkesë për rrëzimin e saj.
“Reçaku është një gjykim mjaft i vështirë, i ndyrë dhe i pakëndshëm. Për të po bëhet gjyq në Hagë dhe kjo është gjë e rëndësishme. Nuk e di sesi dhe në çfarë mënyre e ringjallën tani. Përsa i përket seancës së sotme, gjykatësi konstatoi të pranishmit, 21 persona të pandehur dhe prokurori special lexoi aktakuzën. Ajo që lexoi prokurori nga aktakuza përmban shumë palogjikshmëri. Është e pamundur që një person i plagosur rëndë të ngrihet në këmbë dhe policia t’a çojë diku përsëri. Si është e mundur kjo? Kjo është palogjikshmëri e pastër. Dhe nga respekti për gjykatën, nuk do të jepja më shumë detaje. Kemi afat 30-ditor për paraqitjen e kundërshtimeve, për të cilat gjykata do të vendosë", theksoi Milosavleviq.
Sikurse tha, egziston mundësia që gjykata të hedhë poshtë aktakuzën.
"Unë do të paraqes kërkesë për klientin tim që të rrëzohet aktakuza, sepse nuk ka prova për atë çka lexoi prokurori", tha avokatja.
Sipas fjalëve të saj, numër i madh njerëzish për shkak të gjykimit në mungesë, nuk mund të hyjnë në Kosovë.
"Ky proces do të zgjasë dhe kjo varet nga kundërshtimet që ngrihen. Ndoshta dhe gjykata do ta rrëzojë aktakuzën. Egzistojnë dy apo tre filma për Reçakun, për atë çka ndodhi aty, si ndodhi dhe si është, kur është fjala për civilët, gjithçka u fabrikua dhe u sforcua. Me një fjalë, të gjithë këta njerëz nuk duhet të vijnë në Kosovë. Ky nuk është numër i vogël njerëzish. Ku janë familjet e tyre? Familje të tëra janë në rrezik”, tha ajo.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot nisi gjyqi në mungesë i 21 të pandehurve për krime të dyshuara lufte në Reçak, të cilët akuzohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar të vitit 1999.
0 komentet