Prifti nga Bujanoci: Familja ime dhe shtëpia e famullisë ishin në shënjestër të disa të rinjve shqiptarë
Prifti i Kishës Ortodokse Serbe, Boban Illiq nga Bujanoci, deklaroi se ai dhe familja e tij u sulmuan nga tre të rinj shqiptarë para shtëpisë së famullisë në qendër të qytetit dhe se incidenti zgjati rreth 45 minuta, deri në mbërritjen e policisë, transmeton portali Bujanovaçke.
“Thërrisnin ‘UÇK’ dhe ‘Allahu Ekber’, valëvitnin flamurin shqiptar, godisnin dritaret dhe urinuan në pragun e shtëpisë së famullisë”, tha prifti.
Ai konsideron se sulmi ndaj tij dhe shtëpisë së famullisë, i cili ndodhi të mërkurën në mbrëmje, nuk ishte i rastësishëm, por se sulmuesit e dinin mirë se çfarë po bënin dhe kë po sulmonin.
Illiq thotë se, në momentin kur mbërritën të rinjtë, rreth orës 22:30, ai ndodhej në shtëpi me bashkëshorten dhe nipërit e mbesat. Bashkëshortja e tij, shton ai, doli në oborr për të mbledhur rrobat dhe për të pastruar sallën ku mbahen mbledhjet e këshillit të kishës.
Atë ditë, siç thotë ai, në shtëpinë e famullisë ishte mbajtur një takim lidhur me ndërtimin e një kishe të re pranë saj, në të cilin kishte marrë pjesë edhe peshkopi Pahomije.
“Erdhën me makinë dhe u parkuan pikërisht para hyrjes. Lëshuan muzikë shqiptare me zë të lartë. Në fillim, bashkëshortja nuk e kuptoi se bëhej fjalë për diçka serioze, mendoi se muzika vinte nga rruga”, rrëfen Illiq.
Sipas tij, ajo më pas u strehua pas portës dhe i vëzhgoi, ndërsa ai ndodhej në dhomë me nipërit e mbesat.
“Morën flamurin dhe e valëvitën para shtëpisë, goditën dritaren e sallës ku i mbajmë mbledhjet dhe më pas që të tre urinuan para hyrjes, pikërisht në prag, pas së cilës u larguan”, tha Illiq.
Kur zbriti, bashkëshortja i tregoi se çfarë kishte ndodhur.
“Filluam të pastronim. Mendonim nëse duhej ta thërrisnim policinë, që të mos shkaktonim ndonjë incident më të madh”, tha ai.
Megjithatë, sipas dëshmisë së tij, të rinjtë u kthyen shpejt.
“Erdhën përsëri. Muzika ishte në maksimum. Dy herë erdhën në parkingun aty pranë, i jepnin gaz makinës dhe bënin ‘drift’, siç thuhet. Drejtonin një Audi të zi, xhamat ishin të hapur dhe muzika ishte e lartë”, tha Illiq.
Sipas tij, ata u kthyen edhe për herë të tretë, kur përsëri lëshuan muzikë me zë të lartë, thërrisnin “UÇK” dhe “Allahu Ekber”, duke bërë edhe gjeste.
“Atëherë e thirra policinë, sepse ishte më mirë ta thërrisja atë sesa të prisja që të bënin diçka tjetër. Nuk e dija se çfarë tjetër kishin ndër mend”, tha Illiq.
Ai thotë se gjithçka zgjati rreth 45 minuta, deri në mbërritjen e policisë.
Ai shton se pas ngjarjes, ai dhe bashkëshortja e tij ishin shumë të shqetësuar, veçanërisht për shkak të mënyrës se si të rinjtë e drejtonin automjetin.
“Kishim frikë se mos, larg qoftë, e lëndonin dikë me makinë. Unë nuk kam frikë nga askush, përveç Zotit, por kjo ishte një sjellje e egër, pa kurrfarë provokimi”, rrëfen prifti.
Sipas tij, policia i konfirmoi se dy nga të dyshuarit ishin arrestuar po atë mbrëmje. Ai shton se, pasi dha deklaratë në polici, iu tha se hetimet ishin në vazhdim.
Illiq theksoi se nuk dëshiron të përgjithësojë dhe se në mesin e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve ka njerëz me qëllime të këqija, të cilët duhet të ndalohen.
“Ishte e tmerrshme. Sipas mendimit tim, ata kishin ardhur me qëllim”, tha Illiq.
Portali Bujanovaçke është ende në pritje të përgjigjes së Prokurorisë së Lartë Publike në Vranjë lidhur me këtë incident.
0 komentet