Shoqata “Tradita nëpër shekuj” ruan ritet në Kosovën qëndrore

Danijela Simonović
Burim: Kosovo Online

Në kohën kur shumë rite të vjetra po humbasin ngadalë, gratë e mbledhura në shoqatën "Tradita nëpër shekuj" nuk lejojnë që harresa të mbulojë atë që brezat kanë ruajtur-nga kostumet popullore dhe bukët ceremoniale, e deri tek këngët, ritet e dasmave dhe recetat tradicionale të Kosovës qëndrore.

Ideja për themelimin e Shoqatës së grave "Tradita nëpër shekuj" lindi nga Daniela Simonoviq nga Batusi pranë Fushë Kosovës, e cila në vitin 2020 dëshironte të ruante ritet e Kosovës qëndrore dhe atë çka sikurse thotë, është pjesë e identitetit të popullit të saj. Mjaft shpejt në të u bashkuan edhe gra të tjera, ndërsa dëshira e përbashkët u rrit në shoqatë që sot mbledh anëtare të brezave të ndryshëm.


Simonoviq në fillim vizitoi e vetme etno-panairet dhe prezantoi specialitete tradicionale karakteristike të këtij rajoni.

"Ajo për të cilën njihemi janë byreqet kosovare, pogaçja, ëmbëlsira sllave, buka e Krishtlindjes e kështu me radhë. Më pas në vitin 2022, pashë se po arrija rezultate të mira, se po hapeshin dyert dhe se egzistonin nevoja për të formuar shoqatë. Kështu që mora vendimin që qëllimi ynë të ishte Kosova qëndrore, rajoni ynë, kreativiteti burimor, traditat dhe ritet e popullit tonë. Të shkëpusim atë që mundemi nga harresa, të vazhdojmë të ruajmë atë traditën tonë dhe atë pjesë të trashëgimisë kulturore të mbarë popullit", tha Simonoviq.

Ajo shton se gjatë kësaj periudhe ndihmesë të madhe ka ofruar Shoqata "Zëri i Metohisë".

Shoqata "Tradita nëpër shekuj" zyrtarisht nisi punën në vitin 2022, në manifestimin "Thurrja graçanicare" në Graçanicë.

"Në nisje ishim rreth njëzet gra, dhjetë aktive dhe dhjetë që donin të ndihmonin me blerjen e objekteve të vjetra dhe gjërave të tjera. Vit pas viti, vazhduam aktivitetet tona, bërëm miq dhe çdo panair, çdo manifestim apo ngjarje që ndodhte në mjediset tona ose në Sërbinë qëndrore që për ne ishte derë e re e çelët", thotë Simonoviq.


Nga kostumet popullore e deri tek ritet e harruara

Shoqata "Tradita nëpër shekuj" përpiqet të shpëtojë zakonet tradicionale karakteristike të këtij rajoni nga harresa dhe të ruajë krijimtarinë burimore.

"Aktivitetet tona janë të spektrit të gjerë. Përfshijnë krijimtari burimore nga vetë kostumi popullor, bukët, këngët tona burimore, recetat tradicionale të njohura për rajonin tonë, objektet tona familjare që kemi ruajtur, trashëgimia familjare, gjithçka që na përket dhe ritet tona. Më të rëndësishmet janë ritet, ato ceremoniale. Shumë nga këto janë harruar, por punojmë që t’i ruajmë çka dhe momentalisht mund t’i bëjmë nga njerëzit tanë dhe nga mjedisi ynë. Këto janë ritet e dasmës, ritet për festat, ritet e Shënjt Gjergjit dhe Pashkëve, si dhe lazarka, të cilën e morëm prej harresës 75 vjeçare", thekson ajo.


Simonoviq shton se rezultatet arrihen falë ekipit të mirëorganizuar të grave.

"Rruga nuk është aspak e lehtë. Ne kemi zgjedhur një nga rrugët më të vështira-që në këto kohë të vështira të mbrojmë komunitetin tonë sërb përmes ruajtjes së traditave dhe riteve. Kjo është diçka më e vështirë, por edhe më e bukur", thotë Simonoviq.

Shtysa për të gjithë këtë, sikurse thotë, ishte pogaçja kosovare, e cila, falë punës së saj, u prezantua në mbarë Sërbinë, por edhe në rajon.

"Kosovarja" ruan këngën e rajonit të tyre

Në kuadër të funksionimit të Shoqatës është dhe grupi i këngëtarëve "Kosovarja" për të cilën Simonoviq është veçanërisht krenare.

"Kosovaret janë gra si të reja dhe të vjetra të cilat ruajnë dhe kultivojnë këngën e rajonit të tyre. Unë jam kosovarja më krenare. Këto jemi ne. Në mbarë këtë histori tonën, këto jemi ne-gratë, fëmijët, nuset kosovare, të gjitha në atë frymë uniteti, që kemi një qëllim të vetëm dhe që është të ruajmë traditën tonë të bukur", thotë Simonoviq.

Ajo është veçanërisht e kënaqur që në Shoqatë përfshihen gjithnjë e më shumë gra të reja.

"Në këtë kohë të vështirë, ku, siç them, lidhet e reja me të vjetrën, do të ishte shumë e vështirë të zgjonim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të njohur rrënjët e tyre, të kthejmë atë bukuri tonën dhe përmes riteve dhe ritualeve tona, të inkurajohet rinia që t’a vazhdojë këtë traditë. Kështu që brenda Shoqatës kemi shumë vajza dhe gra të reja, nuse e gra të reja që për herë të parë po hasen me të. Kemi dhe anëtarët dhe bashkëpunëtorët tanë, nuset nga Sërbia që u martuan në Kosovë, të cilat janë pjesë përbërëse e ekipit tonë dhe që madje mund t'i kenë ofruar dashuri edhe më të madhe Shoqatës sonë dhe ndihmë në punë", thotë Simonoviq.

Ritet e dasmës si kujtim i gjallë i kohëve të shkuara

Momentalisht Shoqata i kushton vëmendje të veçantë ruajtjes së riteve të dasmave ndër të cilat janë këngët dhe ritualet që u janë transmetuar brezave gojarisht.

"Këtu është kënga 'Oj, dashuri’, e cila transmetohet gojarisht dhe që ka nisur paksa të harrohet. Kjo është këngë dasme, një nga këngët më të gëzueshme që lidhet me ritualin e madh të çiftit të sapomartuar dhe që disi i shpërblen ata me bekimin e Zotit që çifti i sapomartuar të jetë i lumtur", sqaron Simonoviq.

Kjo e fundit bën të ditur se ruhen edhe elementë të tjerë të ceremonisë tradicionale të dasmës-prej ardhjes së nuses në shtëpi, loja në oborr dhe ritet e lidhura me vjehrrin dhe vjehrrën, e deri tek prerja e pogaçes ndër kokë e nuses dhe sjellja e bekimeve në shtëpinë e re.

"Aty është dhe rituali me vjehrrën, rreth sobës, ku është dhe takimi i parë mes vjehrrës dhe nuses", thekson ajo.

Sipas ritit të vjetër, shton Simonoviq, vjehrra nuk shkon tek nusja, por e pret në shtëpi, pranë zjarrit.

"Ndërsa gjithçka mbaron jashtë, vjehrra pret në shtëpinë pranë vatrës, ku gjithçka zgjidhet rreth asaj vatre dhe ku të gjitha bekimet e shtëpisë lidhen me të. Vjehrra pret nusen aty e më pas vjen takimi i parë, kur ajo i tregon se si t’a përziejë gjellën, të pjekë pogaçën dhe në fund i’a dhuron e kështu vazhdon rituali në atë jetë të përbashkët", spegon ajo.

Një nga ritet që sipas Simonoviqit, ka nisur të harrohet në Kosovën qëndrore, është lazarka, por Shoqata u përpoq t’a ruante edhe këtë rit.

"Kjo është festë fëmijësh ku ata lajmërojnë ringjalljen e Llazarit. Është festa më e gëzueshme për fëmijë, kur shkojnë të informojnë fshatin, këndojnë, kërcejnë, ndiejnë gëzimin dhe begatinë familjare kudo që shkojnë-për martesë, fushë, çfarëdo qoftë", thotë Simonoviq.


Shoqata në ngjarje të ndryshme, paraqitet me koreografinë "Thurrja graçanicare", e cila përshkruan ciklin jetësor të një familjeje tradicionale sërbe.

"Në vetë koreografinë, është gruaja kosovare që mënd djepin, sepse kjo është pjesë përbërëse e ciklit të jetës në total. Pogaçja gërryhet, këtu janë punime dore-njëra thur, tjetra lidh, njëra thur me grep, njëra ndan, përgatit atë që duhet thurur ose nevojitet fasule, por detyrimisht shkohet tek djepi dhe nën këngën tonë burimore. Shfaqim sesi jetonin dikur gratë dhe si i rrisnin fëmijët e tyre. Nuk rrinin bashkë, por përgatitnin, bluanin kafe dhe tundnin fëmijët. Kjo është 'Thurrja graçanicare', koreografi e grupit të këngëtarëve 'Kosovarja', ku në atë ekip të përbashkët përfshihen gra nga të gjitha zonat që duan të jenë pjesë e asaj historie", thotë Simonoviq

Kostumi popullor si "kartë identiteti" e kosovares

Ndërsa flet për ritet, Simonoviq është veshur me kostum popullor nga Nerodimlja për të cilën thotë se përfaqëson një lloj "karte identiteti" të gruas nga Kosova.

"Kostumi ynë përbëhet nga fustani, këmishë me mëngë të gjata, kurorë-gratë detyrimisht duhej të mbanin kurorë. E më pas varësisht nga ngjyra dhe mosha, mbajnë përparëse. Ka dhe bizhuteri, jelek, shall, çorape e opinga. Kjo është ajo çka duhet të duket një kosovarë", vëren Simonoviq.

Në panaire, sikurse thotë, stenda e Shoqatës "Tradita nëpër shekuj" tërheq vëmendje të madhe nga vizitorët dhe ekspozuesit.

"Kudo që asistojmë, tërheqim vëmendje të madhe, sepse vetë Shoqata ka ekip të madh. Nuk ka vend ku jemi ftuar dhe nuk kemi shkuar. Si dhuratë nga Kosova e Metohia, përherë mbajmë pogaçen e grirë kosovare. Pogaçja është përherë në çeljen e panairit apo në shenjë miqësie dhe vëllazërimi, kështu ka qenë gjithmonë tek ne", thotë Simonoviq.


Në stendë, shton ajo, paraqiten elementë të ndryshëm të trashëgimisë kulturore.

"Aty ka punime artizanale, qëndisje kosovare. Ne përherë me kostume. Aty ka pite kosovare, produkte brumi, ato çka bënin gratë tona kosovare. Ruajmë striktmërisht recetat tona, nuk i prekim të të tjerëve, por as tonat nuk i japim. Produktet e dimrit, likeret, ëmbëlsirat e ndryshme, mjalti vendas dhe punimet me dorë, janë të detyrueshme në stendën tonë, kështu që përherë tërheqim vëmendjen e vizitorëve, por dhe të ekspozantëve", thotë ajo.

"Tradita mbron popullin"

Simonoviq u thotë brezave të rinj të ruajnë traditën, sepse siç thotë, tradita ruan popullin.

"Që në këtë kohë moderne të jetohet në përputhje me mundësitë e veta, por dhe të mos harrojnë rajonin e tyre, traditat dhe rrënjët e tyre, sepse kjo është karta e tyre personale. Do të vijë koha kur fëmijët do t'i pyesin se kush janë ata. Nëse nuk e dinë historinë dhe rrënjët e tyre, si do të jenë të dobishëm për shoqërinë ose komunitetin e tyre?"