AFP: Ndalimi i dinarit po shkakton krizë financiare te serbët në Kosovë

Pošta u Gračanici
Burim: Kosovo Online

Serbët në Kosovë po luftojnë për të marrë dinarë, sepse mijëra prej tyre marrin paga, pensione dhe përfitime sociale nga Beogradi, shkruan AFP.

Frustrimet po rriten më shumë se një muaj pasi një rregull i ri "kontrovers" e bëri euron monedhën e vetme legale në Kosovë, duke ndaluar në fakt përdorimin e dinarit serb, raporton France 24.

Masa nxiti zemërim në Beograd, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të financojë sistemin shëndetësor, arsimin dhe sigurimin social për serbët atje.

Megjithatë, qeveria e Kosovës ka bllokuar në mënyrë të përsëritur dërgesat e dinarëve në kufi me qëllim që të shterojë rezervat e parave të gatshme që ata pretendojnë se po përdoren nga grupet e dyshuara të krimit të organizuar në veriun me shumicë serbe.

Në Graçanicë, selia e kishës ortodokse nga shekulli i 14-të, e cila konsiderohet një kështjellë shpirtërore dhe politike për brezat e serbëve, dekreti i dinarit goditi rëndë bashkësinë lokale.

​ Në Bankën “Poshtanska shtedionica”, i vetmi vend ku serbët mund të merrnin pensione dhe rroga për punë në institucionet serbe, krijohen radhë të gjata.

Duke qenë se rezervat e saj në para janë në rënie, banka vendosi një kufi për tërheqje prej 10,000 dinarësh.

"Pensioni është vonë, por taksat jo. Nuk e di se si do të mbijetojmë," thotë Snezhana Vujoviq, një infermiere 43-vjeçare. Kushdo që dëshiron para duhet të shkojë në Serbi, tha Momir Jeftiq për AFP.

“Situata ekonomike tashmë është e vështirë dhe pa para nga Serbia është edhe më e vështirë”, tregon ky pensionist 68-vjeçar teksa qëndron pranë një bankomati bosh.

Kriza në rritje financiare ka detyruar shumë serbë të Kosovës të kalojnë orë të tëra duke udhëtuar për në Kurshumli, Vranjë dhe Bujanoc për para.

"E gjithë kjo synon të dëmtojë qytetarët. Vendime të tilla janë të çuditshme," tha Dragan Çoliq (68) për AFP.

Pavarësisht kritikave ndaj dekretit nga disa qeveri perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, autoritetet e Kosovës janë edhe më të vendosura për masën. Është futur një periudhë tranzitore tre mujore "për të ndihmuar komunitetin serb të përshtatet", kujton AFP.