Arqipeshkvia rashko-prizrenase: Shmangni zbatimin e rregulloreve që do të kishin efekt negativ tek komuniteti sërb
Arqipeshkvia rashko-prizrenase mbrëmjen e sotme për rastin e zbatimit të ligjit për të huajt dhe pasojat e mundshme për komunitetin sërb, paralajmëroi se zbatimi i ngurtë dhe i nxituar i rregullave, pa regjim të qartë kalimtar dhe pa procedura të realizueshme për grupe më të mëdha njerëzish, mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe u bëri thirrje të gjitha autoriteteve të tregojnë përgjegjshmëri dhe përmes dialogut dhe zgjidhjeve praktike të shmangin çdo zbatim që do të kishte efekt negativ dhe diskriminues për komunitetin sërb.
"Arqipeshkvia rashko-prizrenase e Kishës Ortodokse Sërbe, si kishë që prej shekujsh ka jetuar me popullin e vet besimtar në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë dhe që ndan pa ndalim shqetësimet dhe nevojat e përditshme të besimtarëve tanë, ndjek me kujdes njoftimet publike në lidhje me zbatimin e forcuar të rregulloreve që rregullojnë hyrjen, qëndrimin dhe punën e 'shtetasve të huaj' në Kosovë e Metohi. Ndaj, besojmë me detyrën tonë baritore të nxjerrim në pah rreziqet reale dhe konkrete që kjo praktikë mund të prodhojë për komunitetin sërb në veçanti tek pjesa që lidhet me të drejtën për arsim, punë dhe jetë pa pengesa", thuhet në njoftim.
Arqipeshkvia çmon të drejtën e institucioneve kompetente për të rregulluar çështjet e banimit dhe lëvizjes së personave, si dhe nevojën për të vepruar në përputhje me rregullat në fuqi, por thotë se çështje të tilla të ndjeshme duhet të zgjidhen në dialog me komunitetin sërb, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së tyre të madhe.
“Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se në kushtet e çështjeve të statusit të pazgjidhshëm dhe administrativ afatgjatë, si dhe rrethanave specifike të jetës së komunitetit sërb, egziston frikë e justifikuar se zbatimi i ngurtë dhe i nxituar i rregullave, pa regjim të qartë kalimtar dhe pa procedura të realizueshme për grupe më të mëdha njerëzish, mund të çojë deri në pasoja të paparashikueshme që nuk kontribuojnë as në sigurinë juridike ose interesin publik, por përkundrazi rrisin pasigurinë dhe tensionet”, thuhet nga Arqipeshkvia në një deklaratë.
Vihet re se shqetësim i veçantë shkaktohet nga "mundësia që personat që kanë jetuar dhe punuar prej vitesh në Kosovë e Metohi, si dhe studentët e punonjësit në institucionet arsimore e shëndetësore me rëndësi për komunitetin sërb, veçanërisht Universitetin në Mitrovicën e Kosovës, të trajtohen si 'qytetarë të huaj' në kuptimin e rregulloreve të migracionit, pa mekanizëm real dhe të arritshëm për të rregulluar statusin e tyre në të ardhmen e parashikueshme".
Bëhet e ditur se nëse statusi i studentëve dhe i të punësuarve përcaktohet nga kritere që nuk zbatohen në praktikë për institucionet me rëndësi jetike për komunitetin sërb, rrezikohet shembja e vetë të drejtës për arsim dhe vazhdimësisë së shkollimit, si dhe të drejtës për punë dhe kryerjen e aktiviteteve me interes publik.
"Çdo zgjidhje që faktikisht do të vinte në diskutim funksionimin normal të arsimit të lartë, apo do të rrezikonte studentët dhe vitin e tyre akademik, do të kishte pasoja të gjera për të gjithë komunitetin dhe do të krijonte kushte për të rinjtë që të qëndronin. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në asnjë mënyrë të mos rrezikohet funksionimi i sistemit shëndetësor në zonat sërbe", bën të ditur Arqipeshkvia rashko-prizrenase.
Shtojnë se i konsiderojnë veçanërisht të ndjeshme njoftimet rreth afateve të rrepta për raportimin e adresave të banimit dhe sanksionet e mundshme, përfshirë ndalimet e hyrjes.
Nëse masa të tilla zbatohen pa kohë të mjaftueshme për përshtatje, pa informacion adekuat në sërbisht dhe pa kanale funksionale për regjistrim masiv, mund të krijohen kushte që një numër i madh njerëzish të bëhen "të parregullt" vetëm për shkak të dështimeve teknike, të cilat do të ishin në disproporcion me qëllimin e ligjit dhe në kundërshtim me parimin themelor të sigurisë ligjore, thuhet në deklaratë, duke shtuar se është veçanërisht e rëndësishme që mjetet juridike të jenë efektive në praktikë, kështu që të shmangen situatat në të cilat pasojat do të ndodhnin para se të jetë e mundur mbrojtja e vërtetë ligjore.
Arqipeshkvia për këtë, u përcjell dhe “lutje dhe kërkesë të përgjegjshme" institucioneve kompetente dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që t'i qasen zbatimit të rregulloreve në mënyrën që do të jetë në përputhje me standardet e sundimit të ligjit, mosdiskriminimit dhe proporcionalitetit dhe që do të marrë parasysh kushtet reale të jetës së komunitetit sërb.
"Besojmë mjaft të domosdoshme që para zbatimit të plotë të masave që mund të prodhojnë pasoja të rënda, të miratohen udhëzime të qarta administrative me mekanizma kalimtarë dhe mbrojtës që do të sigurojnë që studentët, mësuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe personat e tjerë që janë pjesë e jetës së përditshme të komunitetit sërb, të mos hyjnë në vakum ligjor. Është veçanërisht e rëndësishme që të sigurohet zgjidhje funksionale për studentët dhe të punësuarit në arsim dhe shëndetësi, kështu që statusi i tyre të mund të rregullohet në bazë të fakteve dhe dokumentacionit të verifikueshëm, pa ndërprerë shkollimin dhe punën", apelohet në deklaratë.
Arqipeshkvia rashko-prizrenase shton se mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj paqes, respektit të ndërsjelltë dhe ruajtjes së dinjitetit të të gjithë njerëzve.
“Kisha jonë nuk merret me politikë, por nuk mund të mbetet vëzhguese e shurdhët kur vihet në pikpyetje siguria themelore e përditshme e popullit tonë, e drejta e tyre për arsim, kurim, punë dhe qëndrim në vatrat e tyre. Ndaj u bëjmë thirrje të gjithë kompetentëve që të tregojnë përgjegjshmëri dhe përmes dialogut dhe zgjidhjeve praktike, të shmangin çdo aplikim që do të kishte efekt negativ e diskriminues tek komunitetin sërb. Arqipeshkvia në kuadër të misionit të vet baritor, do të vazhdojë të ndjekë situatën, të mbështesë besimtarët e vet dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit përkatës vendorë e ndërkombëtarë, tregon nevojën për të siguruar siguri ligjore dhe kushte për jetë normale për të gjithë në Kosovë e Metohi”, konkludohet në njoftim.
0 komentet