Arsiq: Kfor-i garantoi se askush nuk do të hyjë në Universitet, shpresoj se marrëveshja është ende e vlefshme
Rektori i Universitetit të Prishtinës, me seli në Mitrovicë, Nebojsha Arsiq, deklaroi se vitin e kaluar ai universitet ka marrë garanci nga KFOR-i se askush nuk do të hyjë në fakultete, duke shtuar se shpreson që ai premtim të jetë ende i vlefshëm, transmeton Novosti.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se arsimi dhe shëndetësia do të kenë status specifik dhe do të jenë të ndara nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe në Kosovë, Arsiq tha se Universiteti nuk mund të garantojë sigurinë e përgjithshme, por ata po bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për t'i mbajtur studentët të sigurt kur janë në kampus.
“Shpresoj që deklaratat e Sveçlës të mbeten vetëm fjalë, sepse nëse arsimi është problem për dikë, atëherë diçka nuk është në rregull me atë shoqëri”, tha Arsiq.
Sipas tij, Universiteti është gati për fillimin e vitit të ri shkollor më 1 tetor dhe do të ketë 13 mijë studentë, prej të cilëve 6500 janë “pasivë”.
“Është e vërtetë se regjistrimet kanë rënë për rreth 10 për qind, që është pasojë e thashethemeve që po përhapen për njoftimet nga Prishtina se do të uzurpojnë sistemin arsimor serb”, ka shtuar Arsiq.
Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore Mitrovica e Kosovës, Zllatan Ellek, ka thënë për gazetën se është i befasuar nga deklarata e Sveçlës dhe fakti se policia po ndërhyn në sistemin shëndetësor.
“Përveç se nuk kemi asnjë komunikim me përfaqësuesit e sistemit shëndetësor të Kosovës, thjesht nuk e di se në çfarë cilësie po komenton Sveçla për sistemin tonë shëndetësor, dhe nëse si ministër i ka parasysh disa aktivitete që deri më tani janë kryer në mënyrë të njëanshme në veri të Kosovës”, tha Elleku.
Ai shtoi se QKS në Mitrovicë me rreth 1800 të punësuar kujdeset për të gjithë, pa dallim feje dhe kombësie, duke shtuar se për mjekim vijnë edhe shqiptarët nga pjesët tjera të Kosovës.
0 komentet