Avokat Vasiq: Ndaj Sllagjan Trajkoviqit është ngritur akuza për krime lufte
Avokat Dejan Vasiq konfirmon për Kosovo onlajn se Prokuroria Speciale e Kosovës kundër Sllagjan Trajkoviqit sot ka ngritur akuzën për krime lufte të pretenduar.
Vasiq thotë se nesër do të marrë në dorrëzim akt-akuzën në Prokurorinë Speciale në Prishtinë si dhe materialin e plotë nga prokurorja speciale.
"Pas kësaj, më në fund, pas nëntë muajsh hetime, do të mund të njihemi me përmbajtjen konkrete të provave të mbledhura. Në aktakuzë duhet të deklarohet edhe prokurorja lidhur me masën e vazhdimit të paraburgimit” na thotë Vasiq.
Prokuroria Speciale e Kosovës bën të ditur se ndaj të pandehurit S.T. me kombësi sërbe, ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj popullsisë civile në periudhën 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vuçiternës dhe fshatrat përreth.
Kujtojmë se Trajkoviq u arrestua më 15 dhjetor të vitit të kaluar në lagjen Boshnjake në veri të Mitrovicës. Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, së bashku me kolegë të tjerë, ai braktisi Policinë kosovare në shenjë proteste ndaj dhunës që autoritetet në Prishtinë po ushtronin ndaj sërbëve në veri.
Gjykata e Apelit të Kosovës më 25 maj mori vendim për rrëzimin e vendimit për vazhdimin e paraburgimit të Trajkoviqit, por më 29 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish mori vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Avokati Vasiq më herët u ka shkruar ambasadorëve të vendeve të Pesëshes që përmes mjeteve diplomatike të ndikojnë tek Prokuroria Speciale e Kosovës për të mundësuar caktimin në arrest shtëpiak të Sllagjan Trajkoviqit për shkak të gjendjes jashtëzakonisht të keqe shëndetësore dhe trajtimit joadekuat.
komentet