Baraliu: Çështja e urës mbi Ibër në rendin e ditës si pasojë e synimeve politike të qarqeve të caktuara
Profesori i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës Mazllëm Baraliu ka thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër janë të panevojshme që gjërat të komplikohen dhe e gjithë kjo sikurse ai tha, për synime të caktuara politike nga qarqe politike individuale në Kosovë dhe jashtë saj.
Në një deklaratë për Kosovo onlajn, Baraliu bën të ditur se çështja e urës është çështje e brendshme jo vetëm e një vendi pra Kosovës, por dhe e komunës që i përket ajo e në këtë rast Mitrovicës së Veriut.
"Krejtësisht e panevojshme dhe për shkak të qëllimeve të caktuara politike të vendosura në rendin e ditës së dialogut mes Kosovës dhe Sërbisë në Bruksel, u shndërrua në një farë mënyre në çështje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Sërbisë. Por aty është marrë një lloj vendimi pra një marrëveshje me ndërmjetësimin e BE dhe ndërkohë ura është e hapur për këmbësorët. Por qarqe të caktuara nuk janë dakordësuar që ura të hapet për automjetet” thotë Baraliu.
Ky i fundit nënvizon se çështja u vu në lëvizje për shkak të synimeve të caktuara të qeverisë, e cila po i afrohet zgjedhjeve, por edhe qëllimeve të tjera dhe përmes deklaratës së vendeve të Pesëshes, sërish është aktualizuar-panevojshmërisht.
“Kam qenë para dy apo tri javësh në Mitrovicën e Veriut, si ekspert i PNUD dhe Agjencisë së Statistikave në lidhje me regjistrimin. Absolutisht çdo gjë që kam parë në komunat tjera, pashë dhe në Mitrovicën e Veriut, madje disa gjëra janë më të rregullta sesa në vende të tjera. Qytetarët kuptonin se bashkëjetesa dhe komuniteti janë të nevojshme për të ardhmen” thotë Baraliu.
Ky i fundit konstaton se elitat politike në Kosovë e Sërbi, madje dhe politika e jashtme e BE e cila sipas tij, nuk ishte korrekte, e as e udhëhequr në frymën e parimeve mbi të cilat mbështetet-çoi në aktualizimin e kësaj çështjeje.
“Epo, ka pasur protesta, dhe ai diskutim, situata rreth dy anëtarëve të një partie të komunitetit sërb... Gjërat po komplikohen panevojshmërisht për shkak të qëllimeve të caktuara politike të qarqeve të caktuara politike, brenda dhe jashtë tij” beson Baraliu.
0 komentet