BE për ndalimet në Gazimestan: Liria e shprehjes dhe tubimi i qetë është e drejtë themelore
Zëdhënësi i Unionit Europian deklaron se BE mori dijeni për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj 36 personave në lidhje me ngjarjet në Gazimestan, duke theksuar se liria e shprehjes dhe tubimi paqësor janë të drejta themelore dhe duhet të mbrohen në përputhje me sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut.
"Marrim parasysh vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj 36 personave në lidhje me ngjarjet që ndodhën në festimin e së dielës në Gazimestan. Do të dëshironim t'ju kujtojmë se liria e shprehjes dhe liria e tubimit paqësor janë të drejta themelore dhe duhet të mbrohen në përputhje me sundimin e ligjit dhe standardet në fuqi të të drejtave të njeriut", tha zëdhënësi i BE në përgjigjen dhënë Kosovo Onlajn.
Shtoi se çdo kufizim i këtyre të drejtave duhet të mbetet "i jashtëzakonshëm, i nevojshëm dhe proporcional" dhe në përputhje me kornizën ligjore e kushtetuese, vlerësuar në bazë të provave të qarta dhe rrethanave specifike të çdo rasti konkret.
Para dy ditësh Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi gjobë prej 700 eurosh për 36 persona që u ndaluan në Gazimestan gjatë kremtimit të Vidovdanit, e cila duhet të paguhet brenda 15 ditëve. Gjykata mori vendim për të deportuar ata që nuk posedojnë dokumente kosovare dhe atyre do t'u ndalohet hyrja në Kosovë për tre vjet.
Të ndaluarit në Gazimestan u dëgjuan para Gjykatës Themelore në Prishtinë më 29 qershor, kur mohuan fajësinë.
Policia Kosovare më 28 qershor, njoftoi se të ndaluarit kishin provokuar turmën duke bërtitur sllogane provokuese që përmbanin elementë të nxitjes së urrejtjes, duke shkelur dispozitat ligjore.
Zyra për Kosovë e Metohi e Qeverisë së Sërbisë njoftoi se do të informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë për ndalimet duke e quajtur procedurën akt të turpshëm dhe represioni nga regjimi i Albin Kurtit.
Nga Misioni i Unionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEKS) u tha Kosovo Onlajn se kanë ndjekur dhe ende po ndjekin aktivitetet që autoritetet kosovare po kryejnë në lidhje me festimin e Vidovdanit.
Misioni i OSBE në Kosovë gjithashtu vuri në dukje për portalin tonë se kanë ndjekur zhvillimet gjatë kremtimit të Vidovdanit përmes monitorimit të rregullt dhe angazhimit me partnerët e institucionet.
0 komentet