BE: Serbia ka shkelur qartë obligimet e saj nga dialogu me propozimet me ligjin për Kosovën

Evropska unija
Burim: RTV

Bashkimi Evropian beson se Serbia ka shkelur qartë obligimet e saj nga dialogu me projektligjin e Qeverisë për shpalljen e Kosovës zonë të veçantë të mbrojtjes dhe për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore për ndjekjen e veprave penale në Kosovë, shkruan RTK.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Masrali, u bëri thirrje autoriteteve në Beograd që ta shqyrtojnë projektligjin në përputhje me obligimet që ka Serbia në procesin e integrimeve evropiane.

“BE i kujton Serbisë se është e detyruar të respektojë të gjitha marrëveshjet nga dialogu si pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të saj në BE dhe i bën thirrje Serbisë që të shqyrtojë projektligjin në përputhje me rrethanat”, tha zëdhënësja Masrali në një deklaratë me shkrim për mediat.

Ajo theksoi gjithashtu se ligji i propozuar bie ndesh me angazhimin e përsëritur së fundmi të Serbisë për dialog.

Nabila Masrali i ka kujtuar Beogradit zyrtar se që nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të përcaktuara qartë për kompetencat e tyre.