Billçik: Liberalizimi i vizave vlen për të gjithë, nuk duhet të kushtëzohet me dokumente shtesë

Vladimir Bilčik
Burim: Kosovo Online

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, thotë se liberalizimi i vizave vlen për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga kombësia e tyre.

Billçik në përgjigjen e tij për Kosovo online i pyetur për të komentuar thirrjen e Qeverisë së Kosovës drejtuar BE-së për rishikimin e vendimit për heqjen e vizave për pasaportat serbe nga Kosova, tha se është e natyrshme që liberalizimi të mos kushtëzohet me dokumente shtesë.

"Liberalizimi i vizave vlen për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga kombësia e tyre, përderisa ata jetojnë në Kosovë. Prandaj, është e natyrshme që liberalizimi të mos kushtëzohet me dokumente shtesë", tha Billçik.

Qeveria e Kosovës u ka dërguar një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me propozimin e Komisionit Evropian që qytetarët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia të mund të udhëtojnë pa viza dhe në atë letër thuhet se serbët e Kosovës po marrin pasaporta të Kosovës në numër në rritje këtë vit që kur Kosova mori të drejtën për një regjim pa viza.

Shtohet se pasaportat e lëshuara nga Trupi Koordinues i MPB-së së Serbisë ose siç thonë ata “institucion ilegal” paraqesin rrezik për të dhëna të pasakta dhe shkelje të sigurisë për të cilat Kosova nuk mund të mbahet përgjegjëse.

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare dhe serbe në Kosovë janë të ndara për propozimin e Komisionit Evropian, gjegjësisht njëra palë thotë se dëmton integrimin e serbëve të Kosovës, ndërsa organizatat joqeveritare serbe në Kosovë mbështesin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta serbe.