Blinken: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në komuna përshkallëzon tensionet

Entoni Blinken
Burim: Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, tha se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia t'i përkushtohen sërish dialogut të udhëhequr nga BE-ja, për të normalizuar marrëdhëniet.

Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, Blinken u bëri thirrje të dyja palëve që të marrin masa të menjëhershme për uljen e tensioneve.

"Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme ndaj trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve", tha Blinken.

Ai shtoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale ishte i ashpër dhe përshkallëzon tensionet pa nevojë.

"Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacionet alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore. Ndërkohë, Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken.