Borel: De-përshkallëzimi është i nevojshëm, hetim urgjent për keqtratimin e të arrestuarve
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Gjuzepe Borel, ka theksuar sonte, pas takimeve të ndara me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se është e nevojshme të punohet për de-përshkallëzimin e situatën, që nënkupton zbatimin e planit të BE-së, dhe se ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës që urgjentisht të hetohet për keqtrajtimin e të arrestuarve.
Borel, në konferencën për media, theksoi se për katër javë jemi dëshmitarë të përkeqësimit të panevojshëm të situatës me protesta dhe konfrontime të dhunshme.
Ai ka kujtuar se janë lënduar pjesëtarë të KFOR-it, gazetarë, pjesëtarë të policisë dhe civilë.
"Dëgjojmë për incidente çdo ditë. Kjo është e papranueshme dhe nuk duhet të vazhdojë. Prandaj i kam kërkuar Presidentit Vuçiqit dhe Kryeministrit Kurtit që të vijnë sot në Bruksel në takimin e krizës. Po, jemi sërish në gjendje krize", tha Borel.
Ai tha se anëtarët e BE-së dhe SHBA-së kanë qenë të qartë në apelin e tyre për de-përshkallëzimin dhe kërkojnë që të ndërmerren hapa vendimtarë.
“Fatkeqësisht, ne jemi dëshmitarë të të kundërtës”, tha ai.
Ai ka raportuar se ka kaluar më shumë se katër orë së bashku me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht me Kurtin dhe më pas me Vuçiqin, në takime të ndara.
“Nuk kemi pasur një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje”, nënvizoi ai.
Borel tha se para palëve prezantoi pritshmëri të qarta të bashkësisë ndërkombëtare.
"Kosova duhet të pezullojë urgjentisht operacionet policore në veri rreth ndërtesave komunale, që kryetarët e komunave përkohësisht t'i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe Serbia të sigurojë që protestat të ndërpriten njëkohësisht me tërheqjen e policisë. Ne i kemi treguar të dyja palëve se ata duhet të shpallin zgjedhje të parakohshme, sa më shpejt të jetë e mundur, në të katër komunat, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. Ky është thelbi i problemit dhe zgjidhja - mbajtja e zgjedhjeve të reja sa më shpejt me pjesëmarrje "të plotë"", shpjegoi ai.
Më pas, shtoi ai, kur situata në terren të normalizohet, puna për normalizimin e marrëdhënieve duhet të vazhdojë përmes dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.
“Para disa muajsh arritëm një marrëveshje të rëndësishme për rrugën e normalizimit dhe dukej se ishim në rrugën e duhur, duhet t'i kthehemi zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe kjo do të thotë fillimi, pa vonesa dhe parakushte, të negociatave për draft-statutin e BKS-së”, tha ai.
Borel theksoi se ai ishte i qartë se nuk mund të ketë mosndëshkim për ata që janë fajtorë për dhunë, por kjo duhet të trajtohet nga gjyqësori, në mënyrë profesionale dhe të paanshme.
“Takimi i sotëm nuk u fokusua se çfarë, por kur dhe si. Si të de-përshkallëzohet situata në terren, me hapa konkretë, si të organizohen zgjedhjet e reja dhe si të sigurohet kthimi në dialog dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve nga dialogun, sidomos udhërrëfyesin e zbatimit. Pas takimeve mund të them se lideret e kuptuan seriozitetin e situatës, por padyshim që ata kanë interpretime dhe qasje të ndryshme për shkaqet, pra edhe zgjidhjet. Për të ecur përpara, unë vendosa propozime konkrete në tryezë në bazë të kushteve të BE-së. Ne jemi dakord për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe modalitetet se si të arrijmë deri në to", tha ai.
Borel tha se nuk kanë arritur ende, por se rruga dihet.
"Ne kemi diskutuar edhe për arrestimet. Unë thashë se arrestimet dhe keqtrajtimet e pabaza janë krejtësisht të papranueshme. Misioni civil i EULEX-it në Kosovë do të ketë një rol më të rëndësishëm në monitorimin e kësaj në periudhën e ardhshme. Gjithashtu theksova se tre policët e Kosovës që u arrestuan duhet të të lirohet sa më shpejt dhe pa kushte. Unë mendoj se kemi identifikuar mënyra për të ecur përpara, por palët duhet të përmbushin angazhimet e tyre", nënvizoi ai.
Borel tha se Kryeministrit të Kosovës ia ka vënë në dukje akuzat për arrestime të pabaza dhe keqtrajtimet të të arrestuarve dhe ka kërkuar nga ai hetim urgjent dhe vlerësim të situatës, si dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm.
“Gjëja e fundit që mund të them është se unë dhe i dërguari do të jemi në komunikim të ngushtë me të dyja palët në periudhën e ardhshme dhe se të hënën do të raportoj te shefat e misioneve diplomatike se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë”, përfundoi ai.
0 komentet