Brnabiq: Ju lutem Bashkimit Evropian që të ndihmojë të lirohet Dejan Pantiqin
Kryeministrja Ana Brnabiq sot i ka bërë thirrje BE-së që të ndihmojë për lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi, duke thënë se është e tmerruar nga ajo që po ndodh me të, raporton RTV.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Serbi, ajo përkujtoi se kohëve të fundit ka pasur disa arrestime të tilla të njerëzve të pafajshëm dhe vlerësoi se kriza në krahinë është shkaktuar me qëllim që Albin Kurti të bëjë presion mbi Beogradin.
Sipas saj, gjithçka do të ishte ndryshe në Kosovë nëse do të zbatohej Marrëveshja e Brukselit, sepse situata do të ishte më stabile dhe më paqësore, bisedimet me Prishtinën do të vazhdonin dhe serbët do të ktheheshin në institucionet e Prishtinës.
Brnabiq tha se nuk mund t'u bëjë thirrje serbëve që të heqin barrikadat nga veriu i Kosovës nëse forcat speciale të armatosura bastisin kopshtet e fëmijëve të tyre.
"Si mund t'u them serbëve në barrikada nga rehatia e Beogradit të jenë të durueshëm dhe tolerantë? Po sikur t'i çojnë fëmijët e tyre në kopsht dhe forcat speciale të armatosura të ROSU-së të shpërthejnë mbi ta? Nëse fëmijët tuaj në kopsht nuk do të ishin të sigurt, a do të ishit në barrikada”, pyeti kryeministrja, duke iu përgjigjur pyetjes se a do t'u bënte thirrje serbëve që t'i heqin barrikadat.
Ajo bëri thirrje që të zbatohet Marrëveshja e Brukselit dhe tha se nuk e kupton pse nuk mund të zbatohet dhe çfarë është problemi.
Brnabiq po ashtu tha se ka mosmarrëveshje të mëdha me SHBA-në për çështjen e Kosovës, por shtoi se bashkëpunimi me palën amerikane është më i mirë se kurrë në 30 vitet e fundit dhe se falë kësaj është gjetur një zgjidhje për targat dhe kartat identiteti.
komentet