Apeli i djalit të të arrestuarit Dejan Pantiq: Dërgojani ilaçin babait tim, le të telefonojmë me të
Predrag Pantiq, djali i të arrestuarit Dejan Pantiq, të cilit dje i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Prokuroria Speciale e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me anë të një videoje ka bërë apel që babait të tij, i cili është i sëmurë me zemër, t'i jepet mjekim dhe që familja të lejohet të telefonojë me të.
“I bëj apel të gjithëve që mund të ndihmojnë që t’i dorëzojnë barnat tek babai im, të cilat ai nuk i ka marrë prej katër ditësh dhe që i duhen shumë sepse është i sëmurë me zemër, ka probleme me presionin dhe së fundmi i është vendosur stent”, thotë Predrag Pantiq.
Ai shton se për babanë nuk kanë asnjë informacion përveç asaj që avokati u ka dhënë dje.
“Ne si familje nuk kemi asnjë kontakt me të, nuk e dimë nëse është mirë, kemi dëgjuar se ishte duke fjetur në një karrige. Avokati e ka parë në seancë me video link dhe thotë se nuk duket shumë mirë. Kërkoj nga të gjithë për një minimum dinjiteti dhe kushte sepse është i sëmurë. Kërkojmë trajtim të denjë për njeriun, që ai të marrë terapinë e tij dhe të marrë të drejtën të telefonojë me familjen dhe për ne të dëgjojmë nëse është mirë dhe nëse i duhet diçka”, apelon djali i të arrestuarit Dejan Pantiq.
Prokuroria Speciale e Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar Pantiqit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, në periudhën nga 10 dhjetori deri më 9 janar 2023.
komentet