Brnabiq: Qëndrimi i qartë i Prishtinës se serbët nga Kosova duhet të pastrohen etnikisht
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha sot se "Albin Kurti ia shpalli botës synimet dhe vlerat e tij kur tha se barrikadat në veri të Kosovës e Metohisë duhet të hiqen edhe me viktimat".
"Kur flet për viktimat, flet për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi që janë në ato barrikada, dhe po ju kujtoj se në barrikada ka edhe gra e fëmijë, të moshuar, edukatorë që mbajnë mësime online për gjimnazistë nga barrikadat, ai po flet për ato viktima të mundshme", tha kryeministrja.
Brnabiq shprehu shqetësimin e saj për deklaratën e tij, duke theksuar se ajo pasqyron qëndrimin e qartë të Prishtinës se serbët nga Kosova duhet të pastrohen etnikisht.
Brnabiq tha për "Happy TV" se "nxitësit" tani duan të përfitojnë nga kjo situatë dhe të shpjegojnë se Serbia ka problem me bashkësinë ndërkombëtare, sepse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, tha se barrikadat duhet të hiqen.
Ajo theksoi se deklarata e Albin Kurtit në fakt ishte një "vijë e kuqe" dhe se problemin më të madh e shkaktoi kërcënimi i tij për heqjen e barrikadave edhe me viktimat.
Kryeministrja tha se shumë vende të bashkësisë ndërkombëtare e njohin Kosovën, por nuk pajtohen me qëndrimet dhe sjelljet e Kurtit.
“Ka pala me të cilat nuk pajtohemi se çfarë është Kosova, nëse është krahinë autonome apo shtet, por ata e shohin qartë se çfarë dëshiron të bëjë Kurti dhe e kundërshtojnë atë dhe në këtë kuptim jemi partnerë”, tha ajo.
Ajo tha se KFOR-i aktualisht është një partner i mirë i palës serbe dhe është duke e bërë punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244, duke theksuar se është një hap i madh përpara që kthimi i trupave serbe në Kosovë është vënë në konsideratë.
Sipas saj, serbët në Kosovë duan vetëm paqen, stabilitetin dhe të drejtat e tyre, të cilat u garantohen me marrëveshjet ekzistuese, të cilat pala prishtinase vazhdimisht po i shkel.
Ajo tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, “ndërmori të gjitha iniciativat për të qetësuar tensionet në Kosovë e Metohi dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në rajon”.
Kryeministrja beson se bashkëpunimi ekonomik është një mënyrë e mirë për të qetësuar mosmarrëveshjet mes kombeve, sepse kur njerëzit kanë paga dhe pensione më të larta dhe një standard jetese më të lartë, ata do të vënë interesat e tyre mbi konfliktet personale.
"Kur njerëzit nuk kanë punë, paqe dhe stabilitet, ata frikësohen dhe rebelohen dhe e kërkojnë krenarinë e tyre në daullet e luftës," vuri në dukje Brnabiq.
komentet