Burjani: Do të jetë e vështirë të realizohet regjistrimi i popullsisë në Kosovë, pyetja është nëse do të jetë i vlefshëm
Nëse shqiptarët nga Kosova do të deklarohen si kosovarë apo shqiptarë në regjistrimin e popullsisë të shpallur për muajin prill të këtij viti është vullnet personal i çdo qytetari, por do të jetë shumë e vështirë që regjistrimi të realizohet dhe të jetë i vlfeshëm, sipas analistit nga Prishtina, Blerim Burjani.
“Qytetarët kanë të drejtë të vendosin se cilën fushë të plotësojnë formularin, do të vendosin vetë dhe do ta shprehin kombësinë e tyre në regjistrimin e popullsisë. Shtetësia është një element ligjor, dhe përkatësia kombëtare është ndjenjë e qytetarëve, kështu që do të jenë të dyja, siç ka qenë në vitet e kaluara”, thotë Burjani.
Ai vlerëson se do të jetë e vështirë të bëhet regjistrimi i popullsisë, për faktin se shumica e fshatarëve punojnë në një qytet më të madh, por edhe për shkak të emigrimit të popullsisë.
“Deri më tani nuk kemi shumë informacione se si do të duket formulari i regjistrimit apo si e kanë ndërtuar formularin me pyetjet. Mendoj se nuk ka baza të mira për të zbatuar rregulloren, do të jetë e vështirë sepse kemi shumë njerëz që vazhdimisht udhëtojnë brenda Kosovës gjatë ditës, që punojnë nëpër qytete dhe vendbanimin e kanë në fshat. Ka shumë prej tyre. Pastaj kemi edhe emigracionin”, shpjegon Burjani.
Ai është i mendimit se do të ishte mirë të shtyhej regjistrimi, që të mos ishte i pavlerë në fund.
“Mendoj se tani për tani është më mirë të shtyhet regjistrimi, në fund të fundit dihet sa qytetarë janë. Komunat kanë një regjistër dokumentesh ose një regjistër pronash. Sigurisht që duhet të kemi regjistrim të popullsisë dhe pronave, por nuk e dimë nëse përfundimisht do të vlejnë rezultatet”, thotë Burjani.
komentet