Muhaxhiri: Migrimi dhe pakujdesi e qeverisë janë fajtorët kryesorë për rënien e popullsisë në Kosovë

Artan Muhadžiri
Burim: Kosovo Online

Shkalla e natalitetit në Kosovë ka shënuar rënie të theksuar vitet e fundit dhe sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, sheh ndryshimet e stilit të jetesës, migrimet dhe politikën e keqe të qeverisë për popullsinë si shkaqet kryesore.

Muhaxhiri thotë për Kosovo online se norma e lindshmërisë dikur ishte rreth 3.5, se në vitet 2000 ishte rreth 2.1. dhe se sot gratë mesatarisht lindin 1.7 fëmijë, gjë që sjell një rënie të popullsisë. Ka shumë arsye, siç shpjegon ai, dhe një ndër më kryesoret është ndërgjegjësimi për planifikimin familjar.

– Në të kaluarën ka pasur kritere të ndryshme në krahasim me të sotmen. Cilësia e jetës ka ndryshuar, niveli i arsimimit ka ndryshuar, mënyra se si njerëzit planifikojnë familjet...kështu që sot është e pamundur, për shembull, të kesh dhjetë fëmijë, siç ishte në të kaluarën. Kjo për shkak se njerëzit janë nën presion në rritje që fëmijët të kenë një jetë cilësore, gjë që nuk është e realizueshme me këtë nivel të pagave dhe shpenzimeve, ndaj njerëzit zgjedhin të kenë më pak fëmijë për t'u ofruar atyre kushte sa më të mira - thotë Muhaxhiri.


Siç shpjegon bashkëbiseduesi ynë, rënia e popullsisë ka pasoja të shumta sociale, ekonomike dhe kulturore. Kjo ndikon në radhë të parë në mungesën e fuqisë punëtore, e cila ngre edhe çështjen e sigurisë.

- Një popullsi më e vogël kërkon imigrim për të mbushur hapësirën boshe në tregun e punës. Ky është një problem i madh sepse Kosova nuk ka mjaftueshëm masa të mira sigurie, të cilat do të filtronin fuqinë punëtore nga jashtë, përkatësisht migrantët që do të zëvendësonin punëtorët vendas. Gjithashtu, nuk duhet harruar se migrimet janë problem i madh për Kosovën dhe se janë shkaktari numër një i rënies së popullsisë në vitet e fundit – shpjegon sociologu nga Prishtina.


Muhaxhiri shpjegon se ka një ndryshim të madh nëse numri i fëmijëve që planifikon një familje është zgjedhje personale apo u imponohet për shkak të një politike të keqe të popullsisë.

- Nëse është një zgjedhje, siç është në Perëndim, shtetet kanë programe të mira për t'i kundërshtuar ato ndryshime, por këtu nuk besoj se qeveria i ka ato mundësi kur bëhet fjalë për planifikimin familjar, përmirësimin e arsimit dhe sistemit shëndetësor. Ka shumë lajme për mbylljen e shkollave në fshatrat e vogla në Kosovë, sepse nuk ka nxënës të mjaftueshëm dhe, për fat të keq, nuk shoh asgjë kuptimplotë dhe të mirë në planet e qeverisë, kështu që nuk mendoj se është një prioritet i qeverisë sonë – thotë Muhaxhiri.