Cakolli: Në rastin më optimal, qeveria mund të formohet në muajin prill

Eugen Cakolli, bashkëpunëtor i Institutit Demokratik të Kosovës, tha për Kosovo online se në rastin më optimal, të gjitha rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt mund të certifikohen deri në mes të marsit, që do të thotë se seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet deri në fund të marsit. Në një skenar të tillë ideal, thotë ai, qeveria mund të formohet në fillim të prillit ose më së voni nga mesi i atij muaji.
“Nëse, megjithatë, nuk kemi qeveri të re deri në fund të prillit, atëherë duhet të shpallen zgjedhje të reja, të parakohshme, të cilat duhet të mbahen në fillim të qershorit ose brenda 40 ditëve, siç e parashikon ligji dhe Kushtetuta”, thotë Cakolli.
Ai megjithatë thekson se edhe pse ka afate strikte për formimin e qeverisë, ato nuk fillojnë deri në konstituimin e Kuvendit dhe se në atë pjesë të procedurës së paraparë nuk ka afat brenda të cilit partia fituese e zgjedhjeve duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Duke marrë parasysh ritmin aktual të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave të kandidatëve dhe verifikimin e votave të subjekteve politike, Cakolli pret që ky proces të përfundojë deri në fund të muajit shkurt, kur do t'i hapet rruga ankesave të mundshme nga partitë politike në Dhomën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, të cilat mund të zgjasin deri në dhjetë ditë. Kjo, siç shpjegon ai më tej, do të thotë se në versionin më optimal, të gjitha rezultatet mund të certifikohen nga mesi i marsit.
Sipas ligjit, shton ai, pas konfirmimit të rezultateve, Presidenti i Kosovës duhet të thërrasë një seancë konstituive të Kuvendit në afat prej 30 ditësh, në të cilën parlamenti duhet të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët. Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, thotë ai, nuk ka një afat brenda të cilit partia fituese e zgjedhjeve duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ai kujton se në vitin 2014 zgjati rreth gjashtë muaj.
“Prandaj pa konstituimin e Kuvendit nuk fillojnë të ecin afatet e tjera ligjore, përfshirë edhe formimin e qeverisë. Kjo do të thotë se nëse në këtë rast Vetëvendosja nuk propozon dikë për kryetar të Kuvendit, i gjithë procesi ndërpritet dhe afatet e tjera nuk fillojnë. Pasi të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, kemi afate të rrepta. Pastaj presidenti duhet t’ia japë mandatin partisë së parë që i ka fituar zgjedhjet dhe personi që mban mandatin e kryeministrit duhet të paraqesë përbërjen e qeverisë në Kuvendin e Kosovës brenda 15 ditëve nga marrja e mandatit nga Presidenti i Kosovës”, thotë Cakolli.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Presidenti i Kosovës ka dhjetë ditë kohë që të konsultohet sërish me partitë politike dhe të propozojë një kandidat tjetër që mund të jetë nga e njëjta parti politike ose nga të tjerët nëse dëshmojnë se kanë 61 vota.
“Kandidati i dytë në këtë rast ka sërish 15 ditë për të propozuar një qeveri të re. Nëse kjo dështon, atëherë shpallen zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditëve pasi nuk zgjidhet qeveria”, shpjegon Cakolli.
0 komentet