Canaj: Berlini nuk do të tërhiqte njohjen e Kosovës edhe nëse AfD do të ishte pjesë e qeverisë gjermane

Bljerim Canaj
Burim: Kosovo Online

Në prag të zgjedhjeve të nesërme në Gjermani, profesori i universitetit të Prishtinës dhe ish-diplomati Blerim Canaj thotë se Alternativa për Gjermaninë ka shanse të mira për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme gjermane, por se shanset që Gjermania të tërheqë njohjen e Kosovës janë “minus 100. 000”, edhe nëse AfD vjen në pushtet.

Deputetët e AfD-së, për përkujtim, në vitin 2023 kanë paraqitur kërkesë në Bundestag që Berlini të tërheqë njohjen e Kosovës.

Canaj, megjithatë, thotë se Gjermania si një vend serioz nuk bën politika “sot për nesër”.

“Edhe në Austri FPO (Partia e Lirisë) tha se do të tërhiqnin njohjen e Kosovës, por e gjithë bota e di se Gjermania dhe Austria janë vendet që fillimisht e njohën Kosovën. Këto janë lojëra politike”, tha Canaj.

Ai pret që pas zgjedhjeve, qeveria e re në Gjermani të drejtohet nga Unioni Demokristian (CDU), me kancelar Friedrich Merz.

“Nëse CDU do të krijojë një koalicion me AfD apo jo, mbetet për t'u pare. Gjermania do të jetë në një ngërç siç është tani Kosova”, vlerëson Canaj.

Qeveria e re gjermane, beson ai, nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj aktual ndaj dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse, siç thotë ai, është “strategji shtetërore”.