Canaj: Kurti do të duhej të ishte shembulli më i mirë i respektimit të ligjit
Diplomati dhe profesori universitar Blerim Canaj ka theksuar se kryeministri i Kosovës në mandatin teknik Albin Kurti do të duhej të ishte shembull për qytetarët sesi duhet të respektohen ligjet dhe se do të duhej t’i përgjigjej ftesës së Prokurorisë Speciale në rastin e rezervimeve si dëshmitar, ashtu sikurse u paraqit sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë si palë e dëmtuar.
Pasi Kurti asistoi në seancën e sotme dëgjimore kundër Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit të cilët akuzohen për kërcënim të kryeministrit në mandatin teknik, deputetët e opozitës së deritashme kujtuan se Kurti prej muajsh nuk i është përgjigjur thirrjes së prokurorit në lidhje me korrupsionin dhe thanë se për të ligji është si “tryezë suedeze” prej të cilës merr vetëm atë që dëshiron.
Canaj thekson se opozita ka të drejtë kur e thotë këtë, duke qenë se ligji është i barabartë për të gjithë. Shton se këtu ka standarte të dyfishta.
"Nuk mund të mos përgjigjesh kur të thërrasin. Ndaj opozita thotë tryezë suedeze. Çdo kryeministër, jo vetëm Kurti, duhet të dijë se të gjithë jemi njësoj para ligjit. Duhet të jetë ai që të na e thotë këtë dhe jo ne t'i themi atij se çfarë duhet të bëjë. Në këtë kuptim, i jap të drejtë opozitës kur thotë se ligji nuk është tryezë suedeze", thotë bashkëbiseduesi ynë.
Thekson se pikërisht Kurti duhet të jetë shembulli më i mirë se si duhet të sillet në lidhje me ligjet.
"Imagjinoni vetëm nëse nuk paraqitet njeriu para prokurorisë... Kurti është kryeministër, por nuk është mbret. Ne jemi shtet demokratik dhe ai duhet ta zgjidhë me gjykatën. Ndonëse është thirrur si dëshmitar, duhet të jetë shembulli më i mirë për ne qytetarët, të na tregojë se si një njeri i thjeshtë duhet të sillet me ligjet", konkludoi Canaj.
0 komentet