Daçiq: Në takimin në Bruksel Kurti do të vazhdojë politikën e shmangies së formimit të BKS-së
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Prishtina ka 10 vite që po punon për të shmangur formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS), dhe se beson se nesër në Bruksel, në raundin e ri të bisedimeve me Beogradin, do të vazhdojë me të njëjtën politikë, transmeton Dnevnik.
"Prishtina do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e BKS-së. Duke filluar nga emri, statuti, ekipi menaxhues dhe kompetencat që ka komuniteti," u tha Daçiç gazetarëve pasi vendosi një kurorë me lule në varrin e Dimitrije Tucoviqit para PSS-së, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës.
Ai përkujtoi se javën e kaluar ka marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku ndër të tjera është diskutuar për BKS-në dhe se para 10 vitesh është mbajtur një seancë e asaj organizate ku është diskutuar për të njëjtën temë.
"Para 10 vitesh dëgjuam të njëjtën gjë. Të gjithë shprehën kënaqësinë e tyre që ishte një akt historikisht i rëndësishëm. Kanë kaluar 10 vjet dhe Bashkësia e Komunave Serbe nuk ka ndodhur", tha Daçiq.
Ai theksoi se beson se për të gjithë është e qartë se Serbia insiston me vendosmëri në formimin e BKS-së dhe se kjo është pika e parë në përmbushjen e marrëveshjes në Ohër.
“Ka vetëm dy gjëra në planin e zbatimit që janë përmendur konkretisht në fillim - BKS dhe Deklarata për Personat e Zhdukur, këto do të jenë, siç më tha presidenti Vuçiq, temat kryesore. Në këtë moment është vërtet shumë e vështirë të thuhet nëse dhe me çfarë dinamike do të shkojë e gjitha. Por është e një rëndësie thelbësore, sepse pa BKS nuk do të ketë zbatim të pjesëve të tjera të marrëveshjes”, tha Daçiq.
Ai shtoi se “kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, çdo ditë krijon kriza të reja, për të larguar vëmendjen te problemet në terren dhe për të ‘përfunduar’ se ende nuk ka kushte për formimin e BKS-së".
“Ata sigurisht presin që serbët të dëbohen dhe të mos ketë nevojë për BKS. Serbia ka një qëndrim të vendosur. Ne do të jemi me popullin tonë në Kosovë. Përpara takimit të nesërm, një gjë është e sigurt – Serbia do të jetë konstruktive dhe presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, përfundoi Daçiq.
komentet