Daçiq: Qëndrimi i Serbisë për propozimin franko-gjerman është shumë i qartë dhe i përgjegjshëm
Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, deklaroi sot se qëndrimi zyrtar i Serbisë në lidhje me propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është shumë i qartë dhe i përgjegjshëm, përkatësisht se Serbia dëshiron që dialogu të vazhdojë, të marrë pjesë në të dhe se e gjithë kjo duhet të diskutohet në bazë të këtij plani, transmeton Euro news.
Daçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Beograd, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë qartë se cilat janë vijat e kuqe, pra çfarë është e papranueshme, e kjo është anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse pata rastin të dëgjoj vlerësimin në Bruksel se Vuçiq u soll në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme, ndryshe nga Prishtina, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë interesat tona shtetërore dhe kombëtare, por edhe ta ruajmë Serbinë nga kërcënimet e ndryshme, shantazhet, sanksionet e mundshme dhe gjithçka që mund të kërcënojë të ardhmen e qytetarëve të Serbisë”, tha Daçiq.
I pyetur se çfarë pret nga vizita e sotme e deputetit të Parlamentit Evropian Vladimir Bilçik në Serbi, Daçiq ka kujtuar se gjatë vizitës së tij në Bruksel këtë javë ka pasur rastin të bisedojë me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian.
Ai tha se vizita e sotme është një nga vizitat e zakonshme që bëjnë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, veçanërisht ata që monitorojnë situatën në një vend të caktuar.
“Ne kemi shumë pika mosmarrëveshjeje me ta dhe Parlamenti Evropian është një institucion vendimet e të cilit nuk janë të detyrueshme për organet evropiane, por në çdo rast është shumë e rëndësishme që ne të reagojmë ndaj gjithçkaje që nuk është e vërtetë në raportet e tyre, por pavarësisht kësaj, unë mendoj se Serbia ka rrugën e saj evropiane”, tha Daçiq, pas ceremonisë së shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
0 komentet