Departamenti i Shtetit: Vendimi i Kosovës për shpalljen e dy organizatave në veri si terroriste është marrë pa koordinim me SHBA-në
Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim për shpalljen e organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
"Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, duke përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne përsëri i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm derisa të punojmë me palët për zgjidhjen e krizës aktuale", thuhet në reagim.
Theksohet se SHBA-ja dënon “dhunën kundër forcave të KFOR-it”, dhe se ata që qëndrojnë pas saj duhet të mbajnë përgjegjësi “duke respektuar procesin e përcaktuar dhe me transparencë të plotë”.
Qeveria e Kosovës dje shpalli organizata “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste me arsyetimin se anëtarët e tyre qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato “paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”.
0 komentet