REL: Departamenti i Shtetit i bën thirrje edhe një herë Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa urgjente për të deeskaluar situatën

Stejt Department
Burim: Reporteri

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa urgjente për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë (REL) në gjuhën shqipe.

"Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë shprehur qartë pritshmëritë tona për të dyja palët. Diskutimet vazhdojnë," tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për REL kur u pyet se si e komentoi Uashingtoni planin pesëpikësh të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të ulur tensionet në veri.

Pika e parë e planit të paraqitur nga Kurti të martën është sundimi i ligjit, që sipas kryeministrit të Kosovës nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të “grupeve kriminale që sulmuan policinë, trupat e NATO dhe gazetarët” në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thekson se përgjegjësit e sulmeve të dhunshme në veri duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Ata që janë përgjegjës për sulmet e dhunshme duhet të mbajnë përgjegjësi pas procesit të duhur ligjor dhe me transparencë të plotë”, shtoi ai.

SHBA dhe BE i paraqitën Kurtit tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komuna në veri dhe kthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet në veri të Kosovës kanë nisur më 26 maj kur policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit për t'u zhvendosur në ndërtesat komunale, përkundër rezistencës së popullatës vendase.