Dodik: Vuçiq në Athinë dëshmoi se është i aftë të mbrojë interesat kombëtare dhe shtetërore
Presidenti i Republikës Sërbe të Bosnjës Millorad Dodik ka thënë sot se presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq në Samitin e Ballkanit Perëndimor-BE të zhvilluar në Athinë, kushedi sesa herë e ka dëshmuar se është i aftë të mbrojë interesat shtetërore e kombëtare të Sërbisë në skenën ndërkombëtare politike, transmeton RTV.
Dodik për Tanjug ka thënë se në tubimin e mbajtur së fundi në kryeqytetin grek Athinë, qartësia e fjalës së Vuçiqit në kontaktet me shumë liderë në këtë Samit, në ruajtje të interesave të Sërbisë, dëshmoi qëndrimin e tij maestral shtetëror.
“Sigurisht në plan të parë doli në pah informacioni i Vuçiqit, i bërë i ditur pas takimit me kryeministrin e Greqisë Qirjakos Micotaqis dhe presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, se Greqia dhe Ukraina nuk do t‘a njohin pavarësinë njëanshmërisht të shpallur nga Kosova dhe se këto dy vende respektojnë integritetin territorial të Sërbisë” tha Dodik.
Ky i fundit vlerësoi po ashtu se media të caktuara në Sërbi dhe disa liderë opozitarë kanë përcjellë pikëpamjet e tyre për ngjarjet e Samitit të Ballkanit Perëndimor-BE të mbajtur në Athinë, si dhe se këto pikëpamje as që ekzistonin në realitet, prandaj, siç thotë ai. të gjithë u deklaruan si faktor shqetësues, duke shtrembëruar të vërtetën nga takimi në Athinë.
“Kështu që shpërndanë dezinformata se Vuçiq parafirmosi deklaratën e përbashkët në Athinë duke mbështetur arrestimin e Putinit çka është falsifikim klasik i së vërtetës. Vuçiq ka thënë qartë dhe me zë të lartë, kur është fjala për deklaratën përfundimtare nga Samiti në Athinë, se nuk u pajtua me pjesën për zbatimin më efektiv të sanksioneve ndaj Rusisë, duke rezultuar që në tekstin e deklaratës së lartpërmendur të mos gjenden gjëra që janë kundër politikës së Sërbisë”, tha Dodik.
Ky i fundit tha se në samit në të cilin asistuan një numër i madh politikanësh nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian, si dhe presidenti i Ukrainës, nuk ishte tamam i thjeshtë dhe as i lehtë, por që Vuçiq si luftëtar i çertifikuar për mbrojtjen e interesave të Sërbisë, mundi të arrinte mirëkuptim për pozicionin e Sërbisë në përgjithësi dhe në raport me Kosovën.
“Kjo u konfirmua përmes deklaratave nga pjesëmarrësit në Samit të cilët treguan mirëkuptimin e tyre për prezantimin e Vuçiqit dhe pozicionin e Sërbisë“ ka shtuar Dodik.
komentet