E majta maqedonase kundër ndryshimit të emrit të rrugës: Kurtin në Shkup e presin emrat e 300 partizanëve të vrarë

Crvena mladina
Burim: Facebook/Crvena mladina

Lëvizja majtiste rinore nga Maqedonia e Veriut "Rinia e kuqe" ka protestuar për riemërimin e rrugës nga "Brigada e dytë goditëse maqedonase" në "Adem Demaçi" e në këtë rrugë e cila ndodhet në komunën e Shkupit të Çairit, janë vendosur emrat e luftëtarëve të vrarë të kësaj brigade në përkujtim të tyre.

"Me rastin e riemërimit të rrugës 'Brigada e dytë goditëse maqedonase' në 'Adem Demaçi' nën praninë e Albin Kurtit dhe politikanëve shqiptarë elitarë, ishim në Çair dhe në të njëjtën rrugë vendosëm emrat e të gjithë luftëtarëve maqedonas të vrarë nga brigada e dytë maqedonase" thuhet nga faqja e Fejsbukut të lëvizjes "Rinia e kuqe".  

Ata kanë theksuar në një video mesazh se rruga "e cila përkujton ata që dhanë jetën në luftën kundër okupatorit fashist bullgar prej të nesërmes do të përkujtojë Adem Demaçin, separatistin jugosllav dhe luftëtarin e Shqipërisë së Madhe dhe të pavarësisë së Kosovës, shumë herë i dënuar në burgjet në Jugosllavi".

"Le të thumbojnë sytë e atyre këto emra, që do të jenë nesër në ceremoninë për riemërtimin e kësaj rruge dhe atyre që morën vendim të tillë le t’a dinë se populli maqedonas nuk i harron dhe nuk i fal. Sot po fshijnë kujtesën nga rrugët, parqet, monumentet, nesër do të ndërhyjnë edhe tek tekstet e historisë sonë. Maqedonas, mjaft më, zgjohuni, mos flini! Vdekje fashizmit, liri popullit” theksojnë të rinjtë majtistë.