Fidanovski: Taksat për beqarët nuk janë zgjidhje e duhur, Polonia shembull i mirë i politikës popullative

Kristijan Fidanovski
Burim: Kosovo Online

Demografi nga Shkupi, Kristijan Fidanovski, i cili ka doktoruar në politikën popullative të Polonisë, thotë se i gjithë rajoni shënon një trend negativ të shtimit natyror, i cili në Maqedoninë e Veriut filloi gjatë pandemisë së koronavirusit. Në vend të vendosjes së taksave për beqarët dhe personat e pamartuar, ai thekson se duhet të zbatohet modeli polak i politikës popullative.

“Natyrisht, në gjithë rajonin shtimi natyror ka qenë negativ prej kohësh,” thotë Fidanovski.

Ai shpjegon se Maqedonia e Veriut deri në vitin 2019 shënonte një trend lehtë pozitiv të shtimit natyror.

“Pandemia e përkeqësoi gjendjen, ndërsa trendi negativ vazhdoi edhe pas saj.”

Ky ekspert thekson se problemi kryesor nuk qëndron vetëm tek nataliteti i ulët, por edhe në emigrimin e vazhdueshëm, i cili e zvogëlon më tej numrin e banorëve dhe përshpejton plakjen e popullsisë.

Në përpjekje për të kthyer këto trende, shumë shtete të rajonit po zbatojnë politika të ndryshme pro-natalitetit, por sipas këtij demografi, rezultatet janë shpesh modeste.

Si shembull të mirë të politikës popullative ai përmend Poloninë.

“Në Poloni, për shembull, kemi një politikë progresive, e cila, ndonëse nisi nga një qeveri konservatore, më pas u pranua dhe u përmirësua edhe me ndërrimin e pushtetit. Vlera kryesore e kësaj politike nuk ishte rritja e drejtpërdrejtë e natalitetit, por ulja e ndjeshme e varfërisë tek fëmijët,” thotë Fidanovski.

Thelbi i politikës popullative në këtë shtet, thekson ai, është që familjeve, pavarësisht nga të ardhurat e tyre, t’u jepen “shtesa të bujshme për fëmijët”.

Ndryshe nga kjo, Hungaria dhe Serbia zbatojnë politika pronataliteti me theks të fortë në fëmijën e tretë dhe të katërt.

“Kjo mund të ketë efekte regresive, pasi përfitimet më të mëdha i marrin familjet më të pasura, veçanërisht përmes lehtësirave tatimore,” thekson Fidanovski.

Ai tregon se politika popullative në Hungari është e përqendruar në sistemin tatimor dhe ka disa pasoja regresive.

“Prindërit nuk paguajnë tatim deri në fëmijën e tretë, për sa kohë që fëmijët janë të mitur. E nëse kanë katër fëmijë, atëherë janë të liruar nga pagesa e tatimit për gjithë jetën e tyre të punës si prindër,” thotë Fidanovski.

Në praktikë, prindërit në këtë vend janë të liruar nga 15 për qind e tatimit total.

“Kjo në praktikë përkthehet në shumë më tepër para për familjet më të pasura. Pra, për këto arsye, personalisht nuk më pëlqen fare ky qasje. Serbia ka një politikë më pak regresive,” precizon ky ekspert.

Si mangësi të kësaj politike popullative ai thekson “mosmarrjen parasysh të realitetit” se shumica e prindërve dëshirojnë një ose dy fëmijë.

“Politikat që përqendrohen tek familjet e mëdha nuk do të ndikojnë ndjeshëm në shkallën e përgjithshme të natalitetit,” është i bindur Fidanovski.

Duke komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për beqarët dhe personat e pamartuar, Fidanovski mendon se një masë e tillë do të ishte kundërproduktive.

“Kam qenë menjëherë kundër kësaj ideje. Politikat ndëshkuese të tilla nuk e zgjidhin problemin. Përkundrazi, është e nevojshme të përmirësohen kushtet e jetesës për prindërit, dhe jo të ndëshkohen ata që nuk janë prindër,” thekson Fidanovski.

Ai shton se është e gabuar të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë mes martesës dhe natalitetit. "Në shoqëritë moderne, fëmijët lindin edhe jashtë martese, shpesh në marrëdhënie të qëndrueshme dhe të pjekura. Martesa është një institucion i rëndësishëm, por nuk duhet të jetë kusht për prindërimin", specifikon ky demograf.

Ai thotë se problemi demografik është serioz, por jo i pazgjidhshëm.

"Kemi nevojë për një kombinim të politikave sociale, ekonomike dhe shëndetësore që do t'i ndihmojnë prindërit të arrijnë numrin e fëmijëve që dëshirojnë vërtet. Nuk ka zgjidhje të shpejta, por përmes masave të hartuara me zgjuarsi mund ta ngadalësojmë rënien dhe të zbusim pasojat", përfundon Fidanovski.