Frid: Kurti shpërdoroi besimin e SHBA-së, do të jetë e vështirë ta rregullojë
Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe eksperti i Këshillit joqeveritar Atlantik, Daniel Frid, ka thënë se SHBA-ja kurrë nuk ka qenë kaq e inatosur me Qeverinë e Kosovës dhe se diçka e tillë është mjaft shqetësuese, transmeton Radio Evropa e Lirë në shqip.
"Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij e kanë marrë si të mirëqenë mbështetjen amerikane. Ata kanë keqpërdorur besimin amerikan në një mënyrë që do ta kenë të vështirë ta riparojnë, por më mirë të fillojnë me të. Është e qartë se Kosova po injoron shqetësimet e Shtetet e Bashkuara duke vepruar në një mënyrë që ne nuk i inkurajojmë. Nuk kam parë kurrë një administratë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, as në 15 vjet nga pavarësia. Qeveria amerikane këshilloi autoritetet e Kosovës që të mos e bëjnë këtë problem në veriun, dhe ata na injoruan. Dhe rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i paralajmëruam", vuri në dukje Frid.
Ai shtoi se nuk dyshon në supozimet e tij dhe theksoi se në të kundërtën “nuk do të ishte në gjendje të shpjegonte pse ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenier, dhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, do të mërziteshin kaq shumë”.
"Unë mendoj se ata kanë arsyet e tyre. Mendoj se arsyet e tyre janë të bazuara në injorimin e paralajmërimeve të tyre dhe marrjen e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë - gjë që ishte e gabuar dhe befasuese", thotë Fried.
Ai theksoi se Kurti kishte arritur të dëmtonte marrëdhëniet me SHBA-në pa ndonjë interes që mund ta identifikonte.
“Mendoj se ka bërë një gabim në gjykim. Ai e përcakton sovranitetin e Kosovës në atë mënyrë që e ndjen se nuk mund të kërkojë asgjë përveç maksimumit. Dhe duke e bërë këtë e ka përkeqësuar situatën e keqe. Sherri me amerikanët dëmton interesat e Kosovës në një mënyrë që unë nuk e kuptoj. Nuk e di se çfarë ka menduar ai (Kurti)”, thotë Frid.
Ai këshillon Kurtin që “të bëjë një hap prapa dhe të gjejë një mënyrë për të riparuar marrëdhëniet me SHBA-në”.
“Çdo drejtim tjetër mund të jetë shumë më i kushtueshëm, nuk e di se çfarë mbështetje ka ai brenda Kosovës, nëse shihet si ai që i ndërpreu marrëdhëniet me SHBA-në, e cila mbi të gjitha ishte e para që e mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe sigurinë në Kosovë. SHBA-ja ka nevojë për një partner në Kosovë për ta ndihmuar në stabilizimin e veriut. Unë mendoj se administrata amerikane mendon se nuk e kanë atë partner tani", thotë ai.
Ai paralajmëron se situata në veri të Kosovës mund të ketë ndikim më të gjerë në rajon.
"Asgjë e mirë nuk vjen nga kjo. Do të ishte keq nëse do të çonte në një konflikt të hapur, dua të them një përshkallëzim tensionesh. Mendoj se Kurti duhet të veprojë shpejt për të vendosur të paktën një marrëdhënie pune me administratën amerikane. Njerëzit bëjnë gabime. Këshilla ime do të ishte që ta rregullojmë, por nuk e di nëse jemi ende në atë pikë”, përfundoi Frid.
komentet