Gecaj: Me rikthimin në KFOR, Sllovakia dërgon mesazhin se është pjesë e NATO-s
Eksperti i sigurisë nga Prishtina, Hisen Gecaj, deklaroi se rikthimi i Sllovakisë në misionin e KFOR-it duhet të interpretohet si dëshirë e saj që në përballje me zhvillimet globale të pozicionohet në anën e bllokut të vendeve që përbëjnë NATO-n.
Gecaj tha se në të kaluarën nuk ka pasur kërcënime globale të sigurisë kaq serioze, prandaj as Sllovakia nuk ka qenë e gatshme të jetë mes atyre anëtareve të përhershme të NATO-s që marrin pjesë në misione paqeruajtëse siç është KFOR-i në Kosovë.
"Por tani, kur situata është e tensionuar, veçanërisht përreth Rusisë dhe Ukrainës, ata e shohin se duhet të pozicionohen diku dhe t’i përkasin një grupi ose blloku që në një mënyrë do të ishte mbrojtje edhe për ta. Po shohim qartë tani se vendet e vogla nuk mund të mbijetojnë nëse nuk janë nën mbrojtjen ose kujdesin e ndonjë fuqie të madhe", deklaroi Gecaj.
Ai thekson se për momentin NATO është “ajo fuqi e madhe që dominon botën”.
“Dihet që NATO është ajo fuqi që tani dominon botën dhe që në një mënyrë mban dhe ruan disa parime të demokracisë që i përshtaten të gjithë popujve, veçanërisht shteteve të vogla si Sllovakia, Kosova dhe Serbia. Mendoj se ky është arsyeja kryesore: kërcënimi dhe frika nga Rusia, se është i mundur ndonjë sulm edhe ndaj Sllovakisë. Kjo i ka detyruar ata të marrin përsëri pjesë në misionin e paqes në Kosovë dhe të japin një sinjal se janë shtet që mbështet NATO-n dhe që i përket Perëndimit”, vlerëson Gecaj.
I pyetur nëse kthimi i Sllovakisë në KFOR mund të ndikojë në qëndrimin e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës, Gecaj pret që kjo do të kontribuojë në ndryshimin e politikës së Beogradit.
“Çdo vendim i një shteti që më parë konsiderohej si përkrahës i regjimit në Serbi mund të ndikojë edhe në Serbi, sepse gradualisht edhe Serbia, pra liderët e saj, do të kuptojnë se duhet ta ndryshojnë politikën dhe të përshtaten me situatat e reja. Përndryshe, nëse nuk përshtaten, dihet se cili do të jetë rezultati në fund”, thekson Gecaj.
Ai shpjegon se para së gjithash mendon që Serbia nuk duhet të mbetet pas vendeve të tjera që më herët iu bashkuan Perëndimit.
“Një veprim i tillë i Sllovakisë do të ndikojë me gjasë edhe në vetë politikën e Serbisë”, përfundon Gecaj.
0 komentet