Gjuriq: Angazhimi për solidaritet dhe bashkëpunim me partnerët afrikanë

Marko Đurić
Burim: Kosovo online

Shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, me rastin e konferencës "Serbia-Afrikë 2024: Dinjiteti", që u mbajt sot në Beograd, tha se tubimi paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve politike dhe të sigurisë ndërmjet Serbisë dhe vendeve afrikane dhe simbolizon një angazhim të përbashkët për respekt të ndërsjellë, solidaritet dhe bashkëpunim.

“Ky tubim thekson lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe kontinentit afrikan, të bazuara në luftën e përbashkët për sovranitet dhe dinjitet. Është një nder i madh për ne të presim përfaqësues të 40 vendeve afrikane, të bashkuar rreth parimeve të barazisë dhe partneritetit”, tha Gjuriq.

Ai theksoi se bisedimet e sotme ishin produktive dhe largpamëse, duke mbuluar tema kyçe si zhvillimi i qëndrueshëm, investimet, transferimi i teknologjisë dhe shkëmbimi kulturor.

Palët, shtoi ai, konfirmuan angazhimin e tyre për ndërtimin e partneriteteve që nxisin rritjen ekonomike, përmirësojnë arsimin dhe sigurojnë dinjitet për të gjithë njerëzit.

Gjuriq thotë se Serbia është e gatshme të jetë një partner i besueshëm i vendeve afrikane.

"Ne jemi të gatshëm të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë, si dhe të mësojmë nga qasjet inovative të miqve tanë afrikanë, ndërsa përballemi së bashku me sfidat globale, nga ndryshimet klimatike te siguria ushqimore. Konferenca e Dinjitetit nuk është vetëm një moment reflektimi, por edhe një thirrje për veprim. Kjo përfaqëson një mundësi për të forcuar lidhjet tona, për të frymëzuar bashkëpunimin dhe për të përfaqësuar një botë në të cilën çdo vend, pavarësisht nga madhësia apo pozicioni gjeografik, ka një zë të barabartë në formësimin e së ardhmes së përbashkët”, tha ministri i punëve të jashtëme i Serbisë.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për partnerët afrikanë për besimin dhe përkushtimin e tyre në partneritetin me Serbinë.

"Së bashku, ne po i dërgojmë një mesazh të fortë botës: dinjiteti nuk është privilegj - është një e drejtë universale", përfundoi Gjuriq.