Gjuriq: Integrimi evropian është prioritet i Serbisë, CEI një platformë e shkëlqyer për dialog

Marko Đurić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi sot se integrimet evropiane janë prioritet strategjik për vendet anëtare të Nismës së Evropës Qëndrore (NEQ/CEI), e cila është një platformë për dialog, mbështetje dhe mësim të ndërsjellë, pasi bashkon vendet anëtare të BE-së, por edhe ato që ende nuk janë.

Gjuriq, gjatë hapjes së takimit e ministrave të punëve të jashtme të CEI-së që po mbahet në Beograd, theksoi se Serbia po përfundon kryesimin e kësaj iniciative, gjatë së cilës ka synuar të japë kontribut në realizimin e objektivave, si dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve anëtare.

Ai shprehu besimin se kryesuesi i radhës do të punojë për përmirësimin e mëtejshëm të rezultateve të arritura.

Gjuriq theksoi se fokusi ka qenë ndërtimi i një lidhshmërie më të madhe, kohezivitetit dhe qëndrueshmërisë së rajonit, të orientuar drejt së ardhmes.

“Duke u përballur me sfida, jemi përpjekur të përmbushim objektivat. Lidhshmëria ka qenë në qendër të përpjekjeve tona. Forcimi i infrastrukturës në fushën e energjetikës dhe digjitalizimit është mënyra më e mirë për rritjen ekonomike dhe afrimin e qytetarëve. Gjatë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve inkurajuese të bashkëpunimit ndërkufitar”, theksoi Gjuriq.

Në këtë kontekst ai përmendi iniciativën për revitalizimin e korridorit hekurudhor Trieste–Zagreb–Beograd, një vizion që, sipas tij, mund të bëhet realitet nëse ekziston bashkëpunim.

“Lidhshmëria më e mirë nuk është vetëm nevojë praktike, por edhe simbol i fuqishëm i bashkëpunimit dhe i një të ardhmeje të përbashkët. Baza tjetër e bashkëpunimit është përshtatja me sfidat e reja, në mënyrë që rajoni i CEI-së të mbetet konkurrues dhe dinamik. Ne kemi inkurajuar iniciativa që promovojnë kërkimin, transformimin digjital dhe mundësitë për të rinjtë. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë, sepse janë investim në shoqëritë tona”, tha Gjuriq.

Ai tha se integrimi mbetet çelësi i identitetit të CEI-së.

"Integrimi evropian është një përparësi strategjike e shteteve anëtare. Serbia vazhdon në rrugën e saj evropiane dhe ne besojmë se përbërja unike e CEI-së, e cila bashkon anëtarët e BE-së dhe jo-anëtarët e BE-së, përfaqëson një platformë të shkëlqyer për dialog, mësim të ndërsjellë dhe mbështetje. Forcimi i procesit të integrimit në rajon jo vetëm që forcon stabilitetin, por hap edhe rrugë të reja për bashkëpunim dhe zhvillim. Vlera e CEI-së qëndron në aftësinë e saj për t'u transformuar përmes bashkëpunimit", shpjegoi Gjuriq.

Ai tha gjithashtu se, megjithëse rajoni po përballet me sfida politike dhe ekonomike, ekziston besimi se uniteti, dialogu dhe mbështetja e ndërsjellë janë çelësi i progresit.

"Jemi krenarë për atë që kemi arritur", nënvizoi Gjuriq.