Gjuriq: Botsuana mbështet pozicionin e Serbisë për çështjen e Kosovës; Butalea: Ndajmë të njëjtat vlera
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi sot se Botsuana mbështet pozicionin e Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës, për ç’ka shprehu mirënjohje të veçantë, duke theksuar se të dyja vendet ndajnë mirëkuptimin për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare si bazë për ruajtjen e paqes në botë. Ministri i Punëve të Jashtme të Botsuanës, Penja Butalea, ka theksuar se vendi i tij dhe Serbia ndajnë të njëjtat vlera, veçanërisht sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtjes së integritetit territorial.
“Botsuana i është përgjigjur miqësisë duke mbështetur pozicionin tonë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë, dhe jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e Botssuanës për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”, tha Gjuriq në konferencën e përbashkët pas takimit me ministrin e punëve të jashtme të Botsuanës, Penja Butalea.
Ai shtoi se e ka informuar kolegun e tij për situatën aktuale në Kosovë.
“Serbia dhe Botsuana ndajnë një mirëkuptim të gjerë për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare si themel i ruajtjes së paqes dhe barazisë në botë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në rrethanat e sotme”, tha Gjuriq.
Ai nënvizoi se vizita e sotme e ministrit Butalea është vizita e parë zyrtare e një ministri të jashtëm të Botsuanës në Serbi.
Ai shtoi se një ndër prioritetet më të rëndësishme për Serbinë është forcimi i lidhjeve me vendet dhe popujt e kontinentit afrikan.
“Me Botsuanësn na lidh një miqësi 55-vjeçare, e nisur në kohën kur vendet tona mbështesnin së bashku çlirimin e kontinentit afrikan. Ky takim përfaqëson jo vetëm konfirmim të kësaj miqësie të gjatë, por edhe një impuls të ri për bashkëpunim në kuadër të strategjisë së gjerë të ndërlidhjes përmes thellimit të marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore dhe atyre të përgjithshme”, vuri në dukje kreu i diplomacisë serbe.
Ai rikujtoi se Serbia ka qenë mjaft e pranishme në Botsuana, pasi kompanitë serbe kanë ndërtuar objekte të rëndësishme në Gaborone, si dhe se atje ndodhet kisha e Shën Savës.
Gjithashtu i ftoi mysafirët të marrin pjesë në Expo 2027, duke përmendur se tashmë 130 vende e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Ai tha se nesër në Beograd hapet panairi “Vizioni i Verës”, që e përshkroi si një “Mekë të vërtetë për adhuruesit dhe prodhuesit e verës”, dhe i propozoi delegacionit nga Botsuanës ta vizitojnë atë.
“Do të na bëhej shumë qejfi t’ju prezantonim me kulturën tonë enologjike, gastronomike dhe të përgjithshme”, shtoi ministri Gjuriq.
Butalea: Ndajmë të njëjtat vlera, respektojmë të drejtën ndërkombëtare
Ministri i Punëve të Jashtme të Botsuanës, Penja Butalea, theksoi se vendi i tij dhe Serbia ndajnë të njëjtat vlera, si dhe kanë qëndrime të njëjta sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe çështjes së integritetit territorial.
„Serbia është një vend që ka përvojë të pasur në marrëdhëniet me Afrikën, një vend që gjithmonë ka qenë pranë Afrikës në kohën e luftës për pavarësi. Është një vend që ka lidhje të ngushta me Afrikën. Ndajmë vlera të përbashkëta, kemi qëndrime të njëjta për sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe lidhur me integritetin territorial“, nënvizoi Butalea.
Ai vuri në dukje se serbi më i njohur, Nikola Tesla, falë të cilit është ndriçuar bota jonë moderne, ka treguar se edhe kombet e vogla mund të ndikojnë në fatin e gjithë njerëzimit.
Butalea theksoi se pikërisht këtë frymë inovacioni Botsuana dëshiron ta nxisë dhe, në këtë drejtim, do të dëshironte përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës, artit dhe diplomacisë.
„Duam të thellojmë më tej marrëdhëniet tona, në mënyrë që të realizojmë planet ambicioze që kemi si shtet. E njohim Serbinë si një komb që ka avancuar arsimin dhe ekselencën shkencore. Edhe ne investojmë shumë në arsim. Arsimi në Botsuanë është falas dhe në këtë fushë do të dëshironim bashkëpunim me Serbinë“, shtoi ai.
Butalea tha se Botsuana dëshiron të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik, të ndërtojë të ardhmen së bashku me Serbinë përmes kreativitetit, teknologjive të reja dhe potencialit njerëzor.
„Kemi një bashkëpunim dhe miqësi shumë të dobishme dhe jam i lumtur që madje festoni edhe Ditën e Afrikës. Gëzohemi për mënyra dhe forma të reja bashkëpunimi. Botsuana është një vend i vogël në pjesën jugore të Afrikës. Jemi të njohur për diamantet dhe mishin e viçit që eksportojmë në Evropë, por jemi edhe një komb që po kalon nëpër transformim. Duam të industrializohemi. Jemi në proces të industrializimit të shpejtë dhe do të dëshironim që bizneset tuaja të hapin përfaqësitë e tyre dhe të marrin pjesë në ekonominë tonë“, vuri në dukje Butalea.
Ai theksoi se ka potencial të madh edhe në sektorin e minierave, pasi deri më tani janë eksploruar vetëm 30 për qind e territorit.
„Ka shumë potencial edhe në fushën e bujqësisë, digjitalizimit dhe në shumë fusha të tjera. Biseda jonë u fokusua pikërisisht në angazhimin tonë të përbashkët. Duam të mësojmë nga përvoja e Serbisë“, tha ai, duke shtuar se është rënë dakord për punën në nënshkrimin e një kornize bashkëpunimi.
Butalea nënvizoi gjithashtu se, meqenëse të dy vendet besojnë në të njëjtin sistem vlerash, do të bashkëpunojnë në arenën ndërkombëtare.
„Shpresoj në më shumë ndërveprim mes njerëzve përmes shkëmbimit të studentëve. Gëzohem për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Serbinë“, tha ministri i Punëve të Jashtme të Botsuanës.
0 komentet