Gjuriq: Javë e rëndësishme për Serbinë në Uashington
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, njoftoi se nesër në Uashington do të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh me NASA-n, me të cilat Serbia do t’i bashkohet programit hapësinor Artemis.
“Kam një lajm të mirë nga Uashingtoni. Nesër po shkruajmë histori për shkencën serbe. Serbia do t’i bashkohet programit hapësinor Artemis përmes nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh me NASA-n”, tha Gjuriq para gazetarëve.
Ai theksoi se këto marrëveshje do t’u hapin dyert shkencëtarëve, kompanive dhe institucioneve serbe për të marrë pjesë në një nga programet më të avancuara të eksplorimit të hapësirës në botë.
Gjuriq shtoi se, ndonëse serbët nuk janë një komb që merr pjesë në mënyrë aktive në kërkimet hapësinore dhe Serbia nuk ka programin e saj hapësinor, ajo është vendi i personaliteteve të mëdha si Nikola Tesla, Milutin Milankoviq dhe Dejvid Vujiq, i cili përmes misioneve Apollo dha kontribut në uljen e njeriut në Hënë.
“Serbia ka lidhje historike me kërkimet hapësinore. Marrëveshjet që do të nënshkruajmë do t’u hapin institucioneve tona, instituteve shkencore, por edhe kompanive, mundësi për t’u përfshirë në kërkimet hapësinore. Serbia është e përkushtuar ndaj eksplorimit të hapësirës për qëllime paqësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo ka vlerë simbolike, por edhe rëndësi politike, pasi ndodh në kuadër të dialogut strategjik me SHBA-në, i cili përbën një hap historik përpara në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Amerikës”, shpjegoi shefi i diplomacisë serbe.
Ai shtoi se delegacioni që ai udhëheq në Uashington është shumë i kënaqur, pasi, sipas tij, të gjithë e dinë mirë se çfarë do të thotë për Serbinë të hyjë në radhën e vendeve me të cilat SHBA-ja zhvillon marrëdhënie miqësore dhe partneriteti.
Gjuriq njoftoi gjithashtu se nesër do të marrë pjesë në një konferencë për dhunën politike, të organizuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Sipas informacioneve që kam, në konferencë do të marrin pjesë ministra nga rreth 60 vende, por Serbia është ajo që të premten do të vazhdojë programin me hapjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një javë e rëndësishme për Serbinë në Uashington”, deklaroi ministri Gjuriq.
0 komentet